Dhomat e Specializuara në Hagë kanë modifikuar dënimin ndaj ish-kreut të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, duke i mundësuar atij lirimin nga burgu, nën disa kushte.
Kryetari i OVL-UÇK-së në Skenderaj, Emin Lati, tregoi se ardhja e Gucatit ishte pak befasuese, pasi siç tha ai, planifikimi për pritjen e tij ishte bërë për të mërkurën.
“Sot ka qenë pak befasuese, sepse ne ardhjen e tij e kemi pritur nesër. Për nesër kemi qenë në përgatitje për t’i bërë pritje madhështore. Mirëpo, na ngutën pak procedurat, pasi ata e kanë ditur që do të grumbullohen më shumë njerëz. E kemi pritur mirë, kemi qenë të gëzuar, por aq edhe të hidhëruar, pasi Nasimi ka mbetur atje”, deklaroi Lati.
Më tej, Lati tregoi në detaje se si ishte planifikuar pritja “madhështore” për Gucatin.
“Ne për nesër e kemi planifikuar ta presim te aeroporti, me tupana me një masë të njerëzve. Mirëpo, për nesër e kemi plan që nga ora 15:30, ta bëjmë nisjen nga shtëpia e Gucatit, për të shkuar tek varrezat e dëshmorëve në Morinë për homazhe, pastaj në Prekaz tek kompleksi memorial “Adem Jashari”. Mandej, një tubim në shesh të Skenderajt në ora 16:30. Besoj që do të jetë një numër I konsiderueshëm i veteranëve”, theksoi tutje Lati.
Në maj të vitit 2022, Gucati së bashku me zëvendësin e tij në OVL-UÇK, u dënuan me katër vjet e gjysmë burgim për akuzat për pengim të drejtësisë.