Njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci ka deklaruar se problem kryesor i Bashkimit Evropian në qasjen e tyre ndaj dialogut Kosovë – Serbi, është përqarja e tyre e brendshme.
Kjo sipas Kocit u shpërfaq edhe gjatë Procesit të Berlinit që u mbajtë në Tiranë, ku sipas tij, qëndrimet e kancelarit Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron kundrejtë Kosovës ishin krejtësisht të kundërta.
“Problemi kryesorë në Bashkimin Evropian, në qasjen e tyre ndaj dialogut është përqarja e tyre brenda. Ata kanë përçarje të madhe brenda vet Gjermanisë dhe Francës supozoj. Ne pamë në Tiranë, ata janë sponsorizues, janë hartues të asaj marrëveshje, por ne, dje dhe pardje pamë diqka tjetër. Pamë reagim të qëlluar, të goditur të kancelarit Scholz i cili dënoi në termat më të ashpër agresionin e Serbisë, po nuk e pamë një gjë të tillë nga presidenti Macron, ai foli diçka krejtë tjetër. Nuk ishte problem vetëm i vizave, ai e di shumë mirë që vizat nuk mund të anulohen, suspendohen ishte një kërcënim për Kosovën, por ai manifestoi edhe diqka tjetër, e manifestoi publikisht përçarjen që ekziston brenda Bashkimit Evropian në raport me Kosovën”, deklaroi Koci.
“Kush në çfarë pozicione është nuk e di, por ishte evidente që qëndrimi i tij nuk ishte identik me atë të kancelarit gjerman, por ishte edhe kundërshtim. Scholz nuk e lëshoi asnjë kërcënim, përkundrazi e kërcënoi Serbinë, kurse Macron jo vetëm që përmendi vizat si presion por në kërkesat drejtuar Serbisë ishte jo i butë, por ishte shumë.. kërkesa të quditshme ishin”, shtoi ai.
Ndryshe, presidenti i Francës, Emanuel Macron, gjatë konferencës së djeshme në Tiranë dha një kërcënim për pezullim të liberalizimit të vizave për Kosovën, nëse nuk respektohet marrëveshja.
Ai ka thënë se kjo është bërë për shkak të mos mbajtjes së fjalës për respektim të marrëveshjes dhe depërshkallëzim të situatës në veri.
“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron.
Kurse kancelari gjerman, Olaf Scholz gjatë konferencës në Tiranë tha se të gjitha aktivitetet e dhunshme në veri të Kosovës i dënon si BE dhe si Gjermani.
“E dënojmë vërtetë sulmin ndaj policëve dhe të gjitha aktivitetet që i pamë në Kosovë, duke sulmuar institucionet dhe njerëzit. Janë gjëra që s’do t’i pranojmë, dhe është e qartë që BE-ja, shtetet anëtare dhe Gjermania, janë të qartë në këtë pikë. Kemi kërkuar për hetim shumë intensiv dhe presim pjesëmarrje të të gjithëve në këtë dhe të mbështesin këtë hetim që është duke u bërë nga institucionet e Kosovës. Është qenësore që autoritetet serbe të bashkëpunojnë me Kosovën në këtë pikë, që mendoj se është shumë mirë nëse kjo do të ndodhte”, deklaroi kancelari Olaf Scholz.
Kjo është hera e parë që një takim i procesit të Berlinit u organizua jashtë kufijve të BE-së.
Në këtë takim u nënshkrua marrëveshja rajonale për njohje reciproke të kualifikimit profesional.