Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Haradinaj: Qeveria po bën eksperimente me aleatët tanë

 
   

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj gjatë një bashkëbisedimi sot me qytetarët e Klinës ka diskutuar për zhvillimet politike, situatën ekonomike dhe veçanërisht atë të sigurisë pas ngjarjeve në veri.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se në takim me qytetarë, theksoi se eksperimentet e qeverisë ndaj aleatëve dhe në obligimet e marra si shtet e kthejnë Kosovën prapa.

“Ngjarjet në veri e kanë shndërruar Kosovën në problem të sigurisë ndërkombëtare. Sot, jemi në një situatë ku shtetet aleate si Gjermania e Mbretëria e Bashkuar janë detyruar t’i rikthejnë trupat e tyre në kuadër të KFOR, e kjo nuk është e lehtë për ta”, ka thënë Haradinaj.

Kreu i AAK-së ka theksuar se është koha që të mos lejohet dëmtimi i progresit të arritur për më shumë se 20 vjet, pasi që shkaktimi i krizave që destabilizojnë rendin e sigurinë në rajon, cenon mundësinë për zhvillim të gjithëmbarshëm dhe realizimin e aspiratës sonë për integrimin në BE dhe NATO.