Ish-ministri i Infrastrukturës, tani deputet i AAK-së, Pal Lekaj ka folur edhe për rastin e njohur si “53 milionëshi”.
Ai, edhe njëherë ka deklaruar se nuk është as faji i qeverisë Haradinaj e as i tiji personal.
Lekaj, thotë se problemin e kanë trashëguar nga koha kur Lutfi Zharku ishte ministër i Infrastrukturës.
“Sa i përket aktakuzës sime për 53 milionë e kam thënë dhe po e përsëris nuk është faji i Qeverisë Haradinaj, nuk është faji i imi personal por gjendjen e kemi gjet ashtu, nuk është paguar puna që është punuar dhe e kanë vonuar në çdo vit fiskal pagesat, kanë bërë kërkesë për shtyrje të afatit të kontratës nuk e kanë arrit atë sepse vet nuk e kanë pranuar edhe pse ministri Zharku e ka nënshkruar vlerën prej 14 milionëve që të zgjatet afati. Pra kjo ka qenë vetëm për zgjatje të afatit sepse ka huti këtu jo për koston e benifitit të asaj që paratë nuk janë paguar, dikund kanë mbet mbrapa 300 milionë euro dhe ne e kemi marrë ‘pataten e nxehtë në dorë”, por më vjen shumë mirë që e kemi zgjidh këtë çështje dhe çdo kontratë edhe punëdhënësi edhe punëmarrësi i parasheh edhe obligimet”, ka deklaruar Lekaj.
Lekaj, ka treguar edhe arsyen se përse kanë paguar 53 milionë euro.
“Fajin nuk dua ta hedhi vetëm apriori që ka qenë vetëm i një qeverie, aty kanë qenë dy qeveri dhe kontrata ka qenë 600 milionë, ndërsa i tërë buxheti për atë kontratë ka qenë 300 milionë dhe kështu që nuk ka mundur të përfundojë kontrata brenda afatit siç thoshte ministri Zharku por është dashtë që të bëhet edhe një zgjatje e kësaj kontrate dhe për atë zgjatje, për kost benefitin të gjitha ato që i ka bërë kërkesat me kohë kompania në fjalë “Bechtel Enca” , u dashtë që të paguhet shuma prej 53 milionëve, jo për fajin tonë por për neglizhencën dhe mos pagesën e qeverisë Mustafa dhe ministrit Zharku”, ka shtuar ai.
Në rastin e 53 milionëshit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i Pal Lekajt, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.
Ndryshe, në seancën e mbajtur r më 29 shtator 2023, është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe shefi i kabinetit të ish-ministrit Lekaj, dëshmitari Argjend Zejnaj.
Ndërkaq, në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.