Publicisti Lirim Gashi nëpërmjet një postimi në Faceboook ka dhënë mbështetjen e tij të plotë për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani, kryeparlamentarin Glauk Konjufca e ministren e Jashme, Donika Gërvalla.
Gashi i ka përgëzuar drejtuesit e shtetiti për qasjen e tyre ndaj veriut, korrupsionit, krimit të organizuar, shvatjes, gjyqësorit, diplomacisë etj.
Ai ka shtuar se sfidat e vendit në situatën aktuale janë të rënda por se vetëm si të bashkuar ato mund të përballohen.
“E vërteta dhe e drejta janë në anën tonë, ndaj nuk kemi nevojë për inferioritet, frikë, pasiguri dhe ndërgjegje të keqe, përkundrazi e kemi një avantazh të paarritshëm moral, të cilin duhet ta kthejmë në avantazh politik, diplomatik, ekonomik, financiar, kulturor, arsimor, shkencor, investues, punësues dhe ushtarak”, shkruan Gashi mes tjerash.
Postimi i plotë:
Mbështetje të plotë për Vjosa Osmanin, Albin Kurtin, Glauk Konjufcen dhe Donika Gervallen në qasjen e tyre ndaj Veriut, korrupsionit, krimit të organizuar, zhvatjes, grykësisë, prokurorisë, gjyqësorit, diplomacisë, sovranitetit, integritetit dhe dialogut me Serbinë.
Për herë të parë ndjehem i përfaqësuar në mënyrë dinjitoze në të gjitha këto fusha.
Sfidat në politikën e brendshme, e sidomos në atë të jashtme janë të rënda për shkak të situatës së ndërlikuar globale, ndaj vetëm si të bashkuar për një qellim madhor apo ekzistencial mund të dalim fitues faqebardhë, sepse askujt nuk i kemi borxh, përkundrazi Serbia na ka borxh të pashlyeshëm.
E vërteta dhe e drejta janë në anën tonë, ndaj nuk kemi nevojë për inferioritet, frikë, pasiguri dhe ndërgjegje të keqe, përkundrazi e kemi një avantazh të paarritshëm moral, të cilin duhet ta kthejmë në avantazh politik, diplomatik, ekonomik, financiar, kulturor, arsimor, shkencor, investues, punësues dhe ushtarak.
Vullneti dhe bindja në drejtësi dhe barazi individësh, kombesh dhe shtetesh shpon kodra ndaj duhet ta kemi ose tani ose kurrë.
Vetëm të bashkuar rreth së drejtës dhe së vërtetës tonë të padiskutueshme dhe të koordinuar me SHBA dhe EU jemi të sigurt dhe në anën e duhur të historisë kombëtare dhe botërore.
Karton të kuq Putinit, Vuçiqit, Rames, Abazoviqit dhe kolonës se pestë shqipfolëse politike dhe mediatike.
Karton të kuq zhvatësve, abuzuesve, kriminelëve, dhunuesve, grykësve, legjionarëve, sabotuesve, vrasësve, tradhtarëve dhe tregtarëve me shëndetin, dinjitetin dhe jetën tonë, si dhe me trevat tona të shenjta etnike.