Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​LDK mbështet rezolutën për PK-në, ankohet për mungesën e mazhorancës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbështetur rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për përmirësimin e kushteve për policët e Kosovës.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Anton Quni, derisa ka adresuar ankesa ndaj mazhorancës për mospjesëmarrje në këtë seancë që po flitet për Policinë e Kosovës, tha se duhet që sa më shpejtë të përmirësohen kushtet për zyrtarët policorë.

Quni: Qeveria të marrë në konsideratë nevojat urgjente për përmirësimin e cilësisë së jetës së çdo polici

“Këta policë me vite e kryejnë të njëjtën punë, nga i njëjti vend punim, që do të thotë asnjë mundësi apo shpresë për zhvillimin e tyre në karrierë, ngritje në detyrë apo gradë. Një numër i tyre punojnë me vite pranë operatorëve që rrezatojnë dhe dëmtojnë shëndetin, ne çdo ditë kalojmë nëpërmjet skanerëve, kurse ata pjesëtarët e policisë që kujdesen për ne qëndrojnë para tyre. Në vendet e perëndimit nuk lejohet më shumë se gjashtë muaj të qëndrohet në vend punime të tilla, i bartin të njëjtat kostume për vite, punojnë jashtë orarit dhe të fundit shkojnë në shtëpi. Një numër i tyre ka probleme me shëndet apo kanë familjar të sëmurë në shtëpi, dhe krejt në fund nuk paguhen për punën që bëjnë… Prandaj, i bashkëngjitemi dhe mbështesim fuqishëm përpjekjet e deputetëve që Qeveria të marrë në konsideratë nevojat urgjente për përmirësimin e cilësisë së jetës së çdo polici”, tha Quni.

Quni derisa kujtoi agresionin e Serbisë më 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku e u plagosën dy të tjerë, tha se Policia e Kosovës ishte bartësja kryesore për menaxhimin e asaj situate.

I njëjti shtoi se është keq nga Qeveria se si nuk merr pjesë në këtë seancë kur flitet për nevojat elementare të Policisë.

Quni: Sot kur ne flasim për nevojat elementare për pjesëtarë të PK-së, na mungon mazhoranca

“Me 24 shtator tërë spektri politik, ishte i unifikuar përballë një rreziku që vinte nga territori i Republikës së Serbisë. Të gjithë ishim mirënjohës ndaj PK-së si bartëse kryesore për menaxhimin e asaj situate. Është e ditur se kapacitetet e KP-së nuk janë ngritur vitin e fundit apo gjatë mandatit të qeverisë së fundit, janë investime që nga çlirimi i Kosovës, çdo qeveri ka investuar që PK një ditë kur të përballet me ndonjë rrezik në mënyrë sa më profesionale të menaxhojë situatat e tilla. Por, ja që ky unitet nuk po tregohet sot. Sot kur ne flasim për nevojat elementare për pjesëtarë të PK-së, ne këtu na mungojnë mazhoranca të cilët verbërisht ishin në përkrahje për PK-në, por sot nuk shprehin gatishmëri të dëgjojnë nga opozita sesi mund t’i përmbushim nevojat e PK-së”, shtoi Quni.