Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Banka Botërore: Ngadalësohet rritja ekonomike në Kosovë

Banka Botërore vlerëson se në Kosovë rritja reale e Bruto Produktit Vendor (BPV) u ngadalësua gjatë këtij viti, por parashikimet e kësaj banke janë se aktiviteti ekonomik pritet të zgjerohet me 3.2 për qind gjatë vitit 2023.

Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Massimiliano Paolucci, ka thënë se rritja ekonomike në Mal të Zi dhe Shqipëri ishte më e fortë seç pritej në vitin 2023, e nxitur nga një sezon i fortë turistik, ndër faktorët e tjerë, dhe mund të ngadalësohet pak në vitin 2024. Por sipas tij, rritja në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi parashikohet të përshpejtohet në vitin 2024, e mbështetur nga rritja e konsumit dhe e investimeve.

Sipas Paolucci, për Kosovën është i domosdoshëm zbatimi në kohë dhe efektiv i Strategjisë së re të Energjisë duke ruajtur stabilitetin fiskal.

“Për Kosovën, është i domosdoshëm zbatimi në kohë dhe efektiv i Strategjisë së re të Energjisë duke ruajtur stabilitetin fiskal, krahas nevojës për të reduktuar hendekun që Kosova ka në infrastrukturën e sektorit të ujërave, mbeturinave dhe ndërlidhjes [transportit ndërkombëtar]”, citohet në komunikatë Paolucci.

Ai ka shtuar se rritja e shkallës së investimeve në kapital njerëzor dhe përfshirja më e madhe e grave joaktive në tregun e punës, duke reduktuar barrierat për pjesëmarrje, gjithashtu duke rritur qasjen në shërbimet e kujdesit për fëmijë, janë një parakusht për të çliruar potencialin për rritje më të lartë ekonomike.

“Në Kosovë, si kudo në Ballkanin Perëndimor, përballë kushteve të jashtme sfiduese, rritja reale e BPV-së u ngadalësua, por mbetet pozitive. Aktiviteti ekonomik pritet të zgjerohet me 3.2 për qind gjatë vitit 2023. Inflacioni ka qenë në rënie të vazhdueshme nga kulmi i tij prej 14.2 për qind në korrik 2022, por presionet mbi çmime mbeten të larta. Perspektiva afatmesme mbetet pozitive, në kontekstin e një pasigurie të lartë. Kontributi i investimeve në rritjen ekonomike pritet të jetë më i lartë në periudhën 2024-2025, i mbështetur nga rritja e investimeve në infrastrukturë publike, përfshirë këtu edhe projektet me financimit të jashtëm, si dhe investimet më të larta publike dhe private në kapacitete prodhuese dhe në efiçiencë të energjisë”, thuhet në raportin e ri Ekonomik i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Sipas Bankës Botërore, shkalla e rritjes rajonale në vitin 2024, edhe pse më e shpejtë se në vitin 2023, mund të jetë 0.1 për qind më e ulët seç ishte parashikuar nga Banka Botërore në edicionin e mëparshëm të raportit në muajin prill.

Projeksioni i rritjes për vitin 2025 është mbajtur i pandryshuar në 3.5 për qind.