Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bahtiri: “Për vilën e Radojiçiqit e kanë ditë krejt, ajo nuk është mizë me u mshefë”

 
   

Agim Bahtiri, ish-kryetar i Mitrovicës, ka treguar në emisionin DPT te Fidani se institucionet e Kosovës kanë qenë në dijeni për vilën e kryeterroristit Radojiçiqit në Ujman, e cila u bastis nga Policia e Kosovës pas sulmit terrorist në Banjskë.

Bahtiri ka thënë se ka politikanë shqiptarë që madje kanë shkuar te kjo vilë, “kanë hëngër e kanë pi aty”.

Ai tha se s’ka si të mos ta dinin pasi vila nuk u ndërtua për një natë.

“Qysh s’u pa kjo, kanë qenë edhe shqiptarë aty ulun, kanë hongër e kanë pi bashkë. Nivel i lartë i politikanëve kanë qenë aty. Sigurisht se e kanë ditë, kjo nuk osht mizë me u mshefë po është një pasuri bukur e madhe, disa milionëshe dhe nuk është marue natën por me vite”.

Sipas Bahtirit, kryeterroristi Radojiçiqi ka pasë pushtet në veri të Kosovës, ndaj nuk e ka pyetur askënd, as për ndërtimin e vilës.

“Ju duhet ta dini se ai [Radojiçiqi] o kon në pushtet, fuqi e madhe që në veri nuk e ka pyt askënd, bash askënd s’e ka pyt. Por që e kanë ditë, e kanë ditë të gjithë sepse ajo është duk, është parë, dhe thashë që shumë njerëz e kanë vizituar”.

Kur u pyet se a janë gjetur në vilën e Radojiçiqit dokumente që dëshmojnë lidhjen e kryeterroristit me persona publikë në Kosovë, duke i financuar ata, Bahtiri tha se kjo është pak po e sigurt.

“Sigurisht që janë gjetë, dhe sigurisht që hetuesia janë duke u merrë me to. Ka bashkëpunuar dhe bashkëfinancuar dhe është Prokuroria që do të merret me to dhe ato që kanë poseduar nga Policia e Kosovës, sigurisht ato do të vazhdojnë nëpër rrugët ligjore”.

Ai foli edhe për takimin që pati me Radojiçiqin, bashkë me Ramush Haradinajn e AAK-së. Bahtiri tha se ky takim është zhvilluar në një vilë tjetër dy katëshe, në Mitrovicë, jo në atë në Ujman.

“Kjo nuk është vila, ne e kemi pasë takimin në Mitrovicë, mbi Krashën, atje e ka vilën e bardhë. Është e këtij lloji. Ka qenë dy katëshe a tri, se unë jam ngjitë naltë atje”.