Kryeministri Albin Kurti, nuk ka dhënë detaje se çka do të diskutojë me pesë emisarët që të shtunën do të qëndrojnë në Kosovë. Ai tha se siguria e Kosovës është prioritet dhe se pa siguri nuk ka normalizim.
Kurti shtoi se sa më shpejt që të zbatohet marrëveshja bazike e Brukselit do të këtë jo vetë normalizim, por edhe siguri për Kosovën dhe rajonin.
“Çka do të kërkojnë e marrim vesh nesër. Unë mund të them që nuk mund të kemi normalizim pa siguri. Siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit edhe për popullin edhe shoqërinë. Për këtë punojmë ditë e natë me krejt çfarë mundemi e dimë”, tha Kurti.
“Në dhjetorin e viti të kaluar i kishim tri javë 16 barrikada në veri. Me 26-29 maj të këtij viti patëm sulm mbi Policën, ushtër e KFOR-it dhe mbi ju gazetarë në veri. Me 14 qershor e patëm rrëmbim e tre policëve tanë në Leposaviq”, tha Kurti nga Shtimja ku mori pjesë në vënien e gurthemelit të një çerdhe.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirolslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të udhëtojnë të shtunën, më 21 tetor në Kosovë dhe Serbi, për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net ardhjen e tyre.
“Qëllimi i kësaj vizite është për të arritur përparim konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”, ka thënë zëdhënësi Peter Stano.
Kurti ka folur për sulmin e 24 shtatorit nga një grup terrorist në veri të Kosovës.
“Së fundi me 24 shtator patëm sulm terrorist nga i cili u vra rreshteri i policisë Afrim Bunjaku. Është jetike për Kosovën për demokracinë, por do të thosha edhe për rajonin e Ballkanit në përgjithësi që atë të cilët nuk e kanë ditur ose kuptuar se kush është Serbia dhe Beogradi zyrtar më në fund ta bëjnë këtë sepse nuk është Kosova ajo e cila duhet të këtë masa ndëshkuese por është Serbia ajo së cilës duhet ti vendosen sanksionet. Sa i përket dialogut në Bruksel ne prej atje kemi marrëveshje por që sërish për shkak të Serbisë nuk është zbatuar. Ne kemi qenë për herë konstruktiv të përkushtuar kreativ dhe kurrsesi nuk ka faja apo përgjegjësi në anën tonë pse Kosova dhe Serbia nuk i kanë marrëdhëniet normale. Marrëveshja bazike e Brukselit nga 27 shkurti e ka në qendër njohjen defacto reciproke dhe sa më parë zbatohet ajo do të kemi jo vetë normalizim demokratik e evropian por edhe siguri për vendin tone e për rajoni”, tha Kurti.
“BE-ja dhe vendet anëtare, sikurse edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbesin mbështetëse të mëdha të procesit të normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe së ardhmes evropiane të të gjithë rajonit. Kemi pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të kryejnë pa vonesa dhe pa kushte obligimet e tyre”, ka thënë Stano.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishin takuar për herë të fundit në një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, më 14 shtator. Në atë takim ata kishin dështuar që të pajtoheshin për një plan për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjeve. Për këtë, BE-ja ia kishte lënë përgjegjësinë palës kosovare, ndonëse kishte thënë se të dyja palët kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve nga marrëveshja e arritur në dialog.
Ndërkohë, BE-ja i ka mbajtur në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe është duke shqyrtuar vendosjen e masave ndaj Serbisë, nëse dëshmohet lidhja e saj me sulmet e fundit në Banjskë në veri të Kosovës, më 24 shtator, ku u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Në përleshjet që pasuan mes grupit të armatosur dhe Policisë së Kosovës , u vranë tre sulmues.
Kosova e akuzoi Serbinë se tentoi ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës” gjatë sulmit në Banjskë, përgjegjësinë për të cilin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deriatëhershëm i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ndërsa Serbia i mohoi akuzat.