Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka quajtur çmenduri ndërprerjen e punimeve të rrugës “Jim Jema” në kryeqytet, të njohur si “Rruga A”.
Përmes një postimi në Facebook, i pari i LDK-së ka thënë se “në Kosovën e popullistëve puna krijon kundërshtarë”.
“Sot, një gjykatëse vendosi ta ndalojë atë. Ta ndalojë punën e ndërtimit të rrugës ‘Jim Xhema’ në gjysmë të saj. Gjykatësja, del të jetë motra e deputetes në pushtet”, ka shkruar Abdixhiku, duke aluduar në motrën e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
Abdixhiku ka akuzuar partinë në pushet për pengim të punës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
“Këta janë përplot mllef e urrejtje; dhe fatkeqësisht urrejnë qytetarët e vet. Punë s’bëjnë vet por punën e tjetrit se durojnë dot. Prishtina dhe qytetarët e kryeqytetit, le ta shohin këtë çmenduri. Fillimisht me bllokim buxheti deri në gusht; tani me bllokim projekti me familjarë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka shkruar se “Rruga A po ecte në ritëm të mbarë”.
“Punë e palodhshme, në kohë rekord e në afat. Dhjetëra mijëra banorë pa kolektor e në kundërmim, një kryeqytet pa projektin më të madh kapital. Nuk do t’i lejojmë. Rrua e Re dhe rruga A nuk ndalen. Prishtina dhe Kosova do të bëhen”, ka shkruar në fund Abdixhiku.