Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka njoftuar të premten se lidhur me rastin e helmimit të mbi 150 personave në një lokal në Malishevë javën e kaluar, janë izoluar baktere në disa lloje të produkteve.
Në bazë të hulumtimit epidemiologjik dhe rezultateve mikrobiologjike vlerësohet Epidemi kolektive e shkaktuar nga Salmonella Enteritidis, e cila është izoluar në mostra të ushqimit dhe në mostra humane.
“Në mostra të ushqimit, të strishove të ambientit dhe sipërfaqeve punuese janë izoluar: Salmonella enteritidis, Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile. Siç vijon: Majonez i prodhimit vetanak (LUSH 2-3133) – Salmonella enteritidis, Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile. Mish doneri termikisht i përpunuar (LUSH 2-3134) – Salmonella enteritidis. Qofte të ngrira (LUSH 2-3135) – Listeria monocytogenes, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile. Pleskavicë e ngrirë (LUSH 2- 3136) – Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, bakteret koliforme dhe mezofile. Dhe Sos me hudër (LUSH 2—3137) – Salmonella enteritidis, Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje bëhet e ditur se rezultatet e mostrave të ujit i përgjigjen standardeve të kërkuara sipas udhëzimit administrativ të ujit për konsum human.
“Andaj, si shkak si shkak zbatuar kontrolli i rreziqeve të sigurisë ushqimore dhe zbatimi i praktikave higjienike në të gjithë linjën e prodhimit të ushqimit. Sipas të dhënave nga IKSHPK deri me datë 19 tetor 2023, për shkak të përmirësimit të gjendjes shëndetësore shumica e rasteve të hospitalizuara janë liruar në shtëpi, dhe vetëm tetë prej tyre vazhdojnë të jenë të hospitalizuar, por me gjendje stabile shëndetësore”.
AUV bashkë me mekanizmat e tjerë shtetërorë ka thënë se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e parapara ligjore në kohë, për ndihmë-shërim të të helmuarve dhe gjetjen e shkaktarit.
Ndryshe, lidhur me rastin e helmimit në Malishevë Prokuroria Themelore në Gjakovë ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka ndaluar pronarin e lokalit me inicialet K.Sh.