Sa herë ju ka ndodhur të bëni një foto të maces tuaj dhe ta shihni atë me sy demonikë?
Apo edhe, në mes të natës, të trembesh duke e parë të hidhet në shtrat me sytë e ndezur? Epo, sytë e maces suaj, dhe shumë kafshëve të tjera, duke përfshirë edhe qentë, kanë veçantinë e “shkëlqimit në errësirë”. Tani shpjegojmë shkencërisht pse ndodh kjo.
Merita i shkon ‘tapetum lucidum’, një shtresë reflektuese si një pasqyrë, e cila është e vendosur pas retinës. Ky element rrit sasinë e dritës që mund të kapet nga syri, duke e lejuar atë të shohë më mirë në kushte me dritë të ulët, ose errësirë të plotë. Kjo është arsyeja pse ajo gjendet veçanërisht tek kafshët, si macet dhe kafshët e natës, si minjtë. Ndërsa ne njerëzve ky element na mungon në retinën e syrit.
Por kjo ka dhe një anë negative. Fatkeqësisht, kafshët me elementin ‘tapetum lucidum’ sakrifikojnë njëfarë mprehtësie vizuale në dritë të fortë në favor të aftësisë së tyre për të parë në dritë të zbehtë. Natën, macet shohin 6 deri në 8 herë më mirë se ne njerëzit, dhe kjo falë edhe numrit të lartë të fotoreceptorëve në retinë, që kanë sytë e tyre. Por gjatë ditës këto kafshe duhet të jenë shtatë herë më afër se ne njerëzit për të parë qartë një objekt në dritë.
Speciet, sytë e të cilëve shkëlqejnë në errësirë kanë evoluar për të parë më mirë në dritë të ulët, sepse ushqehen ose duhet të kujdesen për gjahun dhe grabitqarët në agim dhe muzg kohë kur drita është e pakët. Vetitë reflektuese luajnë një rol të rëndësishëm për t’i ndihmuar këto kafshë të shkëlqejnë si gjahtarë në habitatet e tyre natyrore. Por sistemi është shumë më kompleks se kaq: bebëzat e maceve zgjerohen dhe ngushtohen në përgjigje të kushteve të dritës dhe kanë aftësinë të bëhen deri në 50 për qind më të mëdha se bebëzat e njeriut në kushte me dritë të ulët. Ato gjithashtu kanë një numër më të madh qelizash fotosensitive, të afta për të kapur dritë të nivelit të ulët.