Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bordi i RTK-së: Mbi 80% e emisioneve televizive udhëhiqen nga gratë, një emision do të vijë edhe nga Adelina Ismajli

 
   

Nga kjo e hënë, RTK do t’i ofrojë publikut të gjerë, përmes njësive të saj program më të pasur, seriale televizive dhe emisione edukative e argëtuese me interes, siç janë: Mjedisi, shëndetësia, arti, sporti, teknologjia etj.

Ajo që vlen të theksohet është se  80 përqind e emisioneve televizive të reja, të miratuara javën e kaluar do të kenë autore gra.

Emisionin e saj në RTK do ta ketë edhe këngëtarja e njohur, Adelina Ismaili.

Njoftimi i Bordit:

Pak ditë para fillimit të zbatimit të skemës së re programore në RTK, Bordi pret që transmetuesi publik ta jetësojë këtë përmes angazhimit konstruktiv të secilit të përfshirë në këtë pasurim programor. Zgjerimi dhe pasurimi i përmbajtjes programore është rezultat i angazhimit, punës dhe kontributit të shquar të të punësuarve në RTK. Bordi është optimist se tani edhe realizimi dhe plasimi në etër i risive programore do të realizohet me të njëjtin zell.

Nga kjo e hënë, RTK do t’i ofrojë publikut të gjerë, përmes njësive të saj program më të pasur, seriale televizive dhe emisione edukative e argëtuese me interes, siç janë: Mjedisi, shëndetësia, arti, sporti, teknologjia etj.

Në gamën e realizimit të skemës së re programore, të miratuar nga Bordi javën e kaluar, është edhe transmetimi i emisioneve të radios në televizion dhe anasjelltas. Bordi është i bindur se ky ndryshim programor do të jetë pikënisje e një etape rifreskimi të vazhdueshëm të skemës programore si pjesë e synimit për ta kthyer RTK-në në adresën kryesore të publikut.

“Bordi e konsideron shumë pozitive faktin që pjesa dërrmuese, përkatësisht 80 përqind e emisioneve televizive të reja, të miratuara javën e kaluar, kanë autore gra:

Elite Sport – emision sportiv me autore Qëndresa Krelani;

Emision për Mjedisin – me autore Behare Bajraktari;

Komunat në Fokus – emision dedikuar komunave, me autore Lindita Azizi;

Rock N’Block – emision dedikuar muzikës rock, me autore Adriana Morina;

Argument – emision për fëmijë, me autore Shqipe Halili dhe Vlora Çitaku;

Fjalë dhe Tinguj – emision kushtuar muzikës, me autore Dafina Smajli;

RTK Klasik – emision për muzikën klasike, me autore Jeta Çitaku;

RTKTECH – emision kushtuar teknologjisë, me autorë Hysen Hundozi dhe Driton Beqiri;

Emision për teatrin, me autor Ermal Rexha;

Si dhe një emision që do të vijë si produkt i jashtëm me autore Adelina Ismajlin”, thuhet në njoftimin e Bordit.

Bordi i RTK-së thotë se është vënë në dijeni të pakënaqësive të shprehura në disa raste ndaj përfundimeve të procesit të skemës së re programore. Të gjitha shqetësimet do të merren seriozisht dhe si të tilla do të trajtohen.

“Fillimi i zbatimit të skemës programore nuk është një proces mbyllës dhe i përfunduar. Përkundrazi është një etapë e fillimit të mirëpritjes së ideve kreative programore brenda stafit profesional e me përvojë të RTK-së. Bordi inkurajon menaxhmentin t’i shqyrtojë ato në afat sa më të shkurtër, kurdo që të tilla ofrohen, dhe t’ia përcjellë tutje Bordit për miratim”, thuhet në njoftim.

Bordi i RTK-së thekson se sezoni vjeshtor do të karakterizohet me dinamikë të re të punës në aspektin e realizimit të programit si dhe daljes në transmetim. Kujtojmë që RTK në fillim të vitit ka mbajtur një audicion përmes të cilit gazetarët dhe redaktorët kanë prezantuar idetë e tyre për emisione të reja dhe disa prej tyre janë përfshirë në skemën e re, e disa mund të përfshihen në muajt në vijim.