Zyra e Kryeministrit ka ndarë pamje nga takimi i Kryeministrit Albin Kurti, me Emisarët Mirosllav Lajçak e Gabriel Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë.
Në këto pamje shihet Kurti duke u uruar mirëseardhje diplomatëve perëndimorë, teksa realizojnë edhe një fotografi të përbashkët.
Emisari europian, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin Kurit sot në Qeverinë e Kosovës, ka theksuar se Kosova duhet të nisë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Kurti ka një përgjegjësi për të bërë progres në normalizimin e relacioneve nëse Kosova do të bëjë progres drejt BE-së. Tash ne duhet të theksojmë nevojën për të lëvizur në themelimin e Asociacionit pa ndonjë vonesë. Pa këtë, nuk do të ketë progres të Kosovës në rrugën europiane”, tha Lajçak.
“E vlerësojmë gatishmërinë e Kurtit për të vazhduar diskutimet tona shpejt. Do të vazhdojmë në Beograd ku do të takojmë presidentin Vuçiq”.
Lajçak foli edhe për diskutimet që kishin me Kurtin.
“Patëm një diskutim të thellë dhe substancial me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi për atë se si duhet të avancohen marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë dhe për të bërë progres në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara. Ne dëgjuam me vëmendje pikëpamjet e kryeministrit Kurti dhe po ashtu dhe shqetësimet për situatën e sigurisë në veri të Kosovës”.
Lajçak foli edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit, duke përsëritur se qartë se të gjithë përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe që nga Serbia kërkojnë të bashkëpunojë plotësisht dhe veprime konkrete në këtë drejtim.
“Dhe këtu dua të them se sulmi terrorist kundër Policisë së Kosovës nga individë të armatosur përbën një eskalim të qartë dhe të paprecedentë. Ne i shprehëm ngushëllimet tona kryeministrit Kurti dhe dënuam fuqishëm sulmin e 24 shtatorit”, ka thënë Lajçak, duke shtuar se në takim e theksuan se deeskalimi dhe normalizimi janë më të nevojshëm se kurrë tani.