Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Muaji rozë, mamografia nuk është proces i dëmshëm e as i dhimbshëm

 
   

Aleanca e Gruas së Kosovës me mbështetje të Institutit Ndërkombëtar Demokratik (NDI), në kuadër të fushatës sensibilizuese për kancerin e gjirit, organizoi sot një panel diskutimi me temën ‘’Zbulimi i hershëm shpëton jetë, bashkë jemi më të forta”.

Kryetarja e Aleancës së Gruas së Kosovës, Diellza Kukaj tha se emocionohet sa herë që dëgjon historitë prekëse të grave që kanë fituar betejën ndaj kancerit të gjirit.

Kukaj: Muaji rozë të shndërrohet në fushatë simbolike

“Sinqerisht, emocionohem shumë sa herë që dëgjoj historitë prekëse të grave të forta dhe luftarake, të cilat kanë triumfuar betejën mbi këtë sëmundje. Janë ato gra, të cilat nuk flasin vetëm për vetën, por flasin për qindra e mijëra gra të tjera në Kosovë, por edhe më gjerë… Jo shumë kohë më parë, nuk flitej më tutje për këtë sëmundje, me raste të caktuara nuk ndaheshin as momente të vështira, sikur ky të ishte një detaj familjar, i cili nuk do të shërbente për asgjë nëse nuk do të ndahej me të tjerët…Muaji rozë le të shndërrohet në fushatë simbolike që na vetëdijeson të gjithëve për kujdesin e shtuar që duhet të kemi ndaj trupit tonë në çdo ditë të vitit“, tha Kukaj.

Ndërkaq, onkologu Behar Raci tha se numri i të prekurve me kancer të gjirit është në rritje, jo vetëm në Kosovë, por edhe në nivel botëror.

Raci: Kanceri i gjirit është një ndër sëmundjet më sfiduese

“Kjo fushatë e ndërgjegjësimit nga viti në vit ka shkuar duke u rritur dhe mendoj se kjo është një gjë shumë e mirë. Kështu së bashku, duke e rritur sensibilizimin ne ndikojmë pozitivisht duke zbuluar në stadet sa të më hershme ose duke zvogëluar edhe incidencën që do të na ndihmojë në trajtim. Sëmundja e kancerit të gjirit është një ndër sëmundjet më sfiduese që sot përballet jo vetëm Kosova dhe rajoni, por përballet gjithë njerëzimi. Sëmundjet kanceroze në botë, janë në vendin e dytë, si për nga vdekshmëria edhe numri i rasteve”, tha Raci.

Ndërsa, drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkendije Naza tha se mamografia duhet të bëhet edhe pa pasur simptoma, pasi nuk është proces i dëmshëm, por as i dhimbshëm.

Nuza: Të bëhet mamografia pa pasur simptoma

“Gjëja më e parë që do të donim ta bënte një pacient që të shkonte te mjeku pa pasur asnjë simptomë, ta mbërrijë moshën 40-vjeçare pa asnjë simptomë ta bëjë një mamografi. Kjo është rruga më e shpejtë, më e shkurtër dhe më e saktë e diagnostikimit të pacientit…Mamografia është metodë që bëhet me rreze Rëntgen, për sqarim për të gjithë, rrezet Rëntgen që përdoren për mamografi janë rreze të dobëta, aq të buta sa që absolutisht asnjë efekt anësor nuk e kanë te shëndeti i femrës“, potencoi Nuza.

Drejtoresha e Organizatës “Renesansa”, Violeta Pirana ndau përvojën e saj kur ishte prekur nga kanceri i gjirit, derisa tha se marrja e lajmit të diagnostikimit me këtë sëmundje ‘është një ankth i madh’.

Pirana: Kur merr vesh se je me kancer, mendon edhe sa vjet do të jetosh

“Kur merr një grua diagnozën e kancerit, atëherë ajo është një ankth i madh, që rrënon të gjitha ëndrrat, rrënon të gjitha synimet që ka pasur në jetë, sepse kanceri i gjirit atakon më së shumti mbi moshën 50-vjeçare deri në 60… Në momentin kur merr një lajm të hidhur që ke kancer, e vetmja gjë që të shkon në mendje në të mijtën e sekondës se edhe sa vjet më kanë mbetur të jetoj. Për këtë gjë nuk flet pacienti, kjo gjë e mundon“, u shpreh Pirana.

Ndryshe, tetori është i njohur si muaji rozë që ka për qëllim trajtimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit.