Gjykata e Posaçme ka caktuar masë sigurie për ish-kryeministrin Sali Berisha, në kuadër të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Posaçme për privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”.
Për Berishën është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim dalje jashtë shtetit”. Paraprakisht raportohet se për Berishën nuk është dhënë një tjetër masë më e fortë se kjo për shkak të moshës. Sali Berisha është 79-vjeç.
Po ashtu, me kërkesë të SPAK për të njëjtën çështje, është arrestuar mbrëmjen e të shtunës edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi. Gjithashtu raportohet paraprakisht se u ndalua edhe biznesmeni Fatmir Bekteshi.
SPAK ka nisur hetimet mbi këtë çështje pas një kallëzimi të bërë nga Taulant Balla në vitin 2020, asokohe kryetar i grupit parlamentar socialist.
Në kallëzim, Balla akuzon Berishën, Malltezin, ish-ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, dhe disa ministra të tjerë të qeverisë Berisha të viteve 2005-2013.