Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar që nga sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Gjatë kësaj kohe, janë marrë masa të ndryshme nga institucionet e vendit.
Mirëpo, së fundi misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar për ardhjen e trupave shtesë nga Britania e Madhe dhe Rumania.
“Një kontingjent prej 200 ushtarësh britanikë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit dhe më shumë se 130 trupa shtesë nga Rumania mbërritën në Kosovë dhe iu bashkuan kontingjentit të Mbretërisë së Bashkaur prej 400 të dislokuarve tashmë, për ta përforcuar misionin paqeruajtës të KFOR’it”.KFOR thotë se dislokimi vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe “rritjes së tensioneve në rajon për të përmirësuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe patrullimin përgjatë vijës kufitare administrative”.
Vendimi për trupa shtesë, KFOR thotë se bazohet në një kërkesë të Komandantit Suprem të Aleatëve të NATO-s në Europë dhe u miratua nga Aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut si një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.
“NATO ka udhëhequr një operacion paqeruajtës në Kosovë që nga viti 1999 në përputhje me mandatin e saj sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. KFOR-i aktualisht përbëhet nga mbi 4,500 trupa të kontribuar nga 27 aleatë dhe partnerë të NATO-s”, thuhet në njoftim.
Këto lëvizje të KFOR-it supozohet se mund të jenë si rezultat i paralajmërimeve për sulme të reja terroriste.
Për këtë temë, folën ekspertët e sigurisë për gazetën “Bota sot”, derisa komentuan shtimin e trupave të KFOR-it në komunat veriore të Kosovës.
Shala: KFOR ka për obligim shpërndarjen e informatave me palët dhe institucionet
Drizan Shala
E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Së pari, tha se siguria në vend ka ndryshuar në aspekin negativ, pas agresionit të 24 shtatorit.
“Siguria nga data 24 shtatori ka marrë një ndryshim në aspektin negativ duke shtuar numër nga radhët e anëtarëve të NATO-s në kuadër të KFOR për të ofruar zbatueshmërinë e misionit dhe mandatit që kanë sipas rezulutës 1244”, deklaroi eksperti i sigurisë.
Po ashu, u shpreh se KFOR ka rritur numrin në bazë të elementeve të faktorëve të jashtëm dhe politikë.
“KFOR nga vlerësimet që janë bërë në terren ku informata e kaluara në nivel NATO janë vlerësuar dhe analizuar dhe mbi këtë numri do të rritet deri max 1500, në varësi të elementeve që mund të japin faktorët e jashtëm dhe të brendshëm në impakt politik/sigurie”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, eksperti i sigurisë, shtoi se KFOR duhet të japin informata për qeverinë dhe institucionet e Kosovës, pasi e obligon mandati që ka.
“KFOR ka për obligim shpërndarjen e informatave me palët dhe institucionet që janë të involvuar në atë territor që kjo forcë e ka në mbikqyrje sipas mandatit dhe misionit të saj”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.
Halimi: Sa i përket sulmeve terroriste veç e kemi paralajmëruar prej kohësh, që është e mundshme, por me metoda të ndryshme
Armend Halimi
Për këtë çështje një prononcim për gazetën ‘Bota sot’ foli Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS.
Fillimisht, ai nuk përjashtoi mundësinë që të ketë edhe sulme të tjera terroriste nga bandat kriminale serbe me direktiva të shtetit serb.
Ai tha se ato mund të ndodhin në forma të tjera, pra më të feshura se sulmet terroriste të mëparshme.
“Sa i përket sulmeve terroriste veç e kemi paralajmëruar prej kohësh, që është e mundshme, por me metoda të ndryshme. Nga ato që i pamë në forma të hapura, në rast se ndodhin, pritet të bëhen në forma të fshehura, duke u kamufluar, madje duke mos kursyer edhe sulme ndaj civilëve, të vetë etnitetit serb, në mënyrë që t’iu mveshet institucionev tona, edhe pse duke qenë se u demaskuan këto plane, është pak e mundshme të ndodhë. Mirëpo, krejt lufta kundër këtyre rasteve duhet besuar vetëm institucioneve shtetërore, assesi organizmave tjerë”, deklaroi Halimi.
Sipas tij, KFOR me lëvizjet e fundit, pra shtimit të numrit të pjesëtarëve, dëshiron t’i dërgojë mesazh grupeve terroriste serbe.
“Sa i përket KFOR-it, me siguri që kanë matës të pasigurisë, andaj varësisht situatave rritet edhe niveli i gadishmërisë, ndryshe këto lëvizje mund të jenë edhe si mesazh ndaj agresionit apo akteve terroriste se KFOR është garantues i sigurisë, edhe kur nuk ka informata për ndonjë plan përgatitor konkret të sulmit”, përmbylli Armend Halimi për “Bota sot”.