Eksperti shqiptar i çështjeve të sigurisë, Ilir Kulla, kritikon Bashkimin Evropian për mungesë konsensusi ndaj Serbisë. I konsideron absurde masat ndaj Kosovës, pasi thotë se Serbia është kërcënimi real për gjithë rajonin e Ballkanit, e lëre më për Kosovën.
Në intervistën për KP, Kulla thotë se është Serbia që po e përdorë Asociacionin për të bërë një shtet serb brenda Kosovës, ndërkohë që nuk ofron njohjen.
Ai thekson se Lista Serbe është ajo që ka dëmtuar serbët e Kosovës.
Eksperti i sigurisë flet edhe për interesin e Rusisë për të destabilizuar Ballkanin, teksa shton se është presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ai i cili qëndron prapa agresionit ndaj Kosovës.
Kulla: Masat ndaj Kosovës janë absurde, BE-ja ka mungesë konsensusi ndaj Serbisë
“Kjo duhej të ishte bërë tashmë, sepse masat ndaj Kosovës janë masa absurde, masa ndaj më të dobëtit dhe ndaj atij që është viktima… Çështja e funksionimit të Bashkimit Evropian është një çështje ekuilibrash. Bashkimi Evropian funksionon me konsensus në vendimmarrje, ky konsensus mungon jo vetëm për çështjen ndaj Serbisë por edhe për shumë çështje tjera. Ajo që më shqetëson më shumë është që BE-ja, ato pesë vende nuk vazhdojnë më tej në mënyrën e Kosovës, përsa i përket Serbisë mendoj që opinioni publik e ka të qartë se për çka bëhet fjalë”, vijoi Kulla.
Sipas tij, Serbia po e përdorë Asociacionin e komunave me shumicë serbe për të formuar një shtet serb brenda Kosovës.
Kulla: Serbia përdorë Asociacionin për të formuar një shtet serb brenda Kosovës
“Asociacioni ka vetëm një formulë, asociacioni kundër njohjes. Pra në momentin që më jep njohjen unë të jap asociacionin. Përderisa nuk më jep njohjen dhe përdor asociacionin për të futur, për të krijuar një shtet serb në Kosovë, nuk ka arsye pse të ekzistoj ky Asiosacion”, thotë Kulla.
Derisa flet për agresionin e Serbisë ndaj Kosovës ku më 24 shtator mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë, ish-ministri shqiptar thotë se ekziston rreziku që serbët të përdorin enklavat për t’u viktimizuar si në rastin “Panda”, në Pejë.
Kulla: Serbia është kërcënimi real për rajonin e gjithë Ballkanit, rrezik për provokim të enklavave
“Ka dy koncepte: kërcënim real dhe rrezik potencial. Kërcënim real unë nuk shoh, por rreziku potencial për destabilizim , përfshirje të enklavave që ndodhen brenda Kosovës, kjo është një gjë që të gjithë e kanë në mendjen e tyre dhe në realitetin e gjërave. Besoj që institucionet janë aq të forta, dhe do të bashkëpunojnë aq mirë me partnerët ndërkombëtarë që në këtë pjesë nuk besoj që do kemi një sjellje kaq naive për të harruar se kush është Serbia reale. Sepse Serbia reale është kërcënimi real për rajonin e Ballkanit jo vetëm për Kosovën… Rreziku potencial për provokime në enklavave dhe për përdorimin e enklavave si instrument për të viktimizuar serbët si në rastin e fëmijëve në Pejë në vitin 1998 është shumë i lartë”, thotë ai.
Ai komenton edhe arrestimin dhe lirimin e të sanksionuarit të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe, Milan Radojiciq nga Serbia, i cili kishte pranuar se qëndron prapa grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë.
Kulla: Radoiçiq herët apo vonë do të përballet me burgim
“Njerëzit e tij të afërt janë të përfshirë në këtë krim të shëmtuar… Serbia mund edhe ta lirojë e ta arrestojë Radojiçiqin ,por Kosova e gjykon, i dërgon faktet në gjykatë dhe prokuroria e Prishtinës i ka marrë faktet. E dënon sipas ligjeve në fuqi, e pastaj le ta mbanë Serbia, sepse herët a vonë do të jetë i detyruar të përballet me burgim”, thotë Kulla.
Ai nuk mohon interesin e Serbisë për të destabilizuar Ballkanin, derisa vë në pa edhe veprimtarinë e Listës Serbe.
Kulla: Rusia ka interes të destabilizojë Ballkanin, Lista Serbe po shkatërron vetë serbët e Kosovës
“Nuk e heq dyshimin që Rusia ka interes të krijojë vatra të tjera në konflikte , por Rusia është larg dhe serbët nuk janë rusë .Të thuash se e kanë fajin rusët është të gjesh alibi për Vuçiqin, këtu faji ka emër dhe mbiemër ka vend. Sulm terrorist bën një organizatë, nuk bën një shtet, kemi të bëjmë me një agresion të mirëfilltë. Sigurisht që Rusia ka interes në këtë destabilizim… Pastaj ‘Lista Srbska’ po shkatërron serbët e Kosovës nuk po shkatërron shqiptarët. Ata në 15 vite që janë në aktivitet ata nuk i kanë zgjedhur me institucione, i kanë kthyer në qytetarë të dorës së tretë, i kanë izoluar me ekonomi, i kanë futur në një lloj diktature që po the fjalë ndryshe do të ndëshkohesh, kështu që unë mendoj që ‘Lista Srbska’ më shumë ka dëmtuar serbët e Kosovës”, thotë eksperti i çështjeve të sigurisë.
Sa i përket tolerancës së ndërkombëtarëve ndaj Serbisë, Kulla thotë se vjen si rezultat i frikës që kjo e fundit do të afrohet edhe më shumë me Rusinë.
Kulla: Bashkësia ndërkombëtare vazhdon ta tolerojë Serbinë
“Ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë një tolerancë ndaj Republikës së Serbisë, për shkak të faktit se palët mendojnë që Serbia nuk do të shkojë me Rusinë, por ndërkohë harrojnë atë se çka ndodhë çdo ditë me Serbinë dhe është një superfuqi rajonale e ushtarake, shtet që ka destabilizuar fqinjët, Kosovën, Malin e Zi e Bosnjën, është një shtet diktatorial që ka vendosur në kushtetutën e saj që nuk e njeh shtetin e Kosovës i cili ka bërë dhe veprime ushtarake me fqinjët. Mua nuk më vjen mirë që Serbia vazhdon dhe mbetet ajo që ka qenë, mendoj që edhe ndërkombëtarët pak a shumë po e kuptojnë se cili është realiteti i asaj që ne njohim si Republika e Serbisë”, thotë Kulla.
Krejt në fund, Kulla thotë se për Kosovën është e rëndësishme të vazhdojnë njohjet e reja dhe që të mos mungojë vullneti politik për propozime konkrete në çështjet e rëndësishme për vendin.