Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Si paraqitet situata në shkollat në Shqipëri? Karamuço: Kemi 96 vepra penale në ditë, 7 janë plagosje…

Një nga temat që u diskutua mbrëmjen e djeshme në emisionin “Më lër të flas” në Top Channel, kishte të bënte me të rinjtë.

“Adoleshentët nëpër shkolla, sa agresivë janë dhe çfarë po ndodh brenda e jashtë shkollave, gjimnazeve në Shqipëri?”, ishte pyetja që Romeo Veshaj ngriti teksa po prezantonte temën.

I ftuar në studio ishte eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, i cili kur u pyet se ‘si është situata në shkollat tona?’, ai tha se ‘ne kemi 35 mijë vepra penale në vit’.

Sipas Karamuços, janë 96 vepra penale në ditë. Eksperti i kriminalistikës shtoi se kryesisht konfliktet ose përplasjet nisin jashtë ambienteve të shkollës, por që më pas vijon edhe brenda.

“Në Fakultetin e Drejtësisë, në lëndën që japim, normalisht gjëja e parë janë statistikat, shifrat. Ne kemi 35 mijë vepra penale në vit. 96 vepra penale në ditë, nga të cilat 6-7 janë plagosje ose goditje që nuk shkojnë deri në plagosje. Pra rrahje, dëmtime trupore që nuk shkojnë deri në 9 ditë për plagosje të lehtë. A janë këto brenda në shkollë apo jashtë? Janë jashtë më së shumti, por kryen kryesisht nga moshat adoleshente, e cila ka marrëdhënie të ngushta me shkollën. E një konflikt apo përplasje që ndodh jashtë, pastaj vjen e vijon më tej brenda ambienteve të shkollës. Ky është një rrezik shumë i madh. Këtu duhet pasur pastaj problemi se çfarë detyre kryen mësues, oficeri i sigurisë së shkollës, drejtori e të gjithë”, u shpreh eksperti i kriminalistikës.