Të tjera detaje kanë dalë nga dosja e SPAK për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, që çoi në pranga Jamarbër Malltezin dhe caktimin e masës ‘detyrim paraqitje’ për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe sipërmarrësin Fatmir Bektashi.
Në dosje jepet edhe dëshmia e Isa Tares, ish-drejtorit të Klubit shumësportësh Partizani nga viti 1995-2005, për të cilin SPAK thekson se u pushua nga puna kur në pushtet erdhi Berisha.
Po ashtu në dosje sqarohet se pronarët e tokës ishin dëmshpërblyer dhe më parë nga italianët.
“Më datë 21.12.2022 është pyetur shtetasi Isa Tare i cili ka deklaruar se ka qenë drejtori i Klubit Shumesportesh Partizani nga viti 1995-2005, rreth muajve prill, maj. Gjithashtu ka qenë edhe inspektor për sportet bazë dhe sportist i Klubit Sportiv Partizani nga 1958-2005. Gjatë kohës që ka qenë drejtor është paguar nga Ministria e Mbrojtjes, kanë pasur 55 punonjës. Ekipi i futbollit u lidh me italianët dhe kaloi në varësi të italianëve. Besoj se kjo varësi u krijua nga vitit 1989. Pastaj Klubi i Futbollit u bë shoqëri aksionere me president Bert Xhani. Pra financimi u hoq nga ministria e mbrojtjes dhe e bënte privatisht financimin Bert Xhani. Kur ka ardhur në pushtet shtetasi Sali Berisha në vitin 2005, Isain e kanë hequr nga puna, duke e shkarkuar, pas asnjë motivim si dhe dy çunat e tij, të quajtur Auron Tare drejtori i parkut kombëtar të Butrinit dhe Agron Tare që ishte kryetari i degës së pakicave kombëtare në Ministrinë e Jashtme. … disa vite para se ta pushonin nga puna kanë kaluar te Ministria e Kulturës, madje i kujtohet se e ka propozuar ai. I kujtohet që e ka thirrur një shefe e madhe në Kryeministri, e cila i sugjeroi që të bëheshin shoqëri aksionere. Isai nuk pranoi se nuk kishim ku t’i gjenin fondet pasi kishin rreth 300-400 sportista dhe 60 veta me rrogë mujore që paguheshin muaj për muaj nga ministria e Mbrojtjes, buxheti i shtetit.
Pak më përpara i çuan në varësi të Këshillit të Rrethit, tek ‘21 Dhjetori’ ka qenë, por më vonë Isai kërkoi që të shkonin tek Ministria e Kulturës. Mesa i kujtohet Bert Xhani kur mori klubin e futbollit Partizani, ka marrë vetëm hotelin rreth pesë kate me përkrahje të Ministrisë së Mbrojtjes kurse klub shumësportesh kishte palestrat, dy kate. I kujtohet që tek klubi shumësportesh ka qenë edhe një palestër e madhe e lojërave volejboll dhe basketboll dhe po në këtë godinë ishte palestër gjimnastike. Gjithashtu kanë qenë dhomat e zhveshjes që në 1997 hyjnë njerëz që jetonin aty. Në dijeninë e tij, klubi shumësportesh bashkë me klubin e futbollit, pra gjithë territori aktualisht është zënë me ndërtime pallatesh. Në dijeninë e tij, ish pronarëve të cilëve u është dhënë kjo tokë, janë shpërblyer nga italianët shumë vite më parë dhe dokumentet janë në Firence. Në vitin 2005 kur e hoqën Isain nga puna e ka zëvendësuar Afrim Tole….. Në kohën që ishte Isai drejtor, po bëheshin përpjekje që klubi shumësportesh Partizani t’i dorëzohej ish pronarëve dhe Isait i është afruar njëri nga këta ish pronarë, emri i i cilit nuk po i kujtohet që i ka ofruar t’i jepte një hyrje në ndërtesat që do të bëheshin në atë territor, por me kusht që Isai të shprehte dakordësinë e tij që ta merrnin atë pronë ish-pronarët. Pjesë e klubit shumësportesh Partizani ka qenë edhe pishina me vendndodhje në Laprakë, saktësisht tek parku i veturave i Ministrisë së Mbrojtjes. Orkestra frymore ka qenë ngjitur me pishinën, në Laprakë madje ka qenë edhe shkolla e muzikës për ushtarakët. Por ndërtesa e orkestrës frymore dhe pishina u prishën me kalimin e kohës dhe prandaj orkestra frymore gjatë kohës që Isai ishte drejtor i Klubit Shumësportesh Partizani, është sjellë tek ky i fundit. Konkretisht është ndërtuar një godinë kastile për orkestrën pas palestrës së lojërave me dorë, tek Klubi shumësportesh Partizani, pra afër klubit të futbollit Partizani në një godinë më vete.”, sqarohet në dosje.
Në dosje është edhe dëshmia e Afrim Toles, drejtor i Klubit Shumësportesh Partizani, në vitet 2006-2008.
“Më datë 22.12.2022 është pyetur shtetasi Afrim Tole, i cili ka deklaruar se ka qenë drejtor i Klubit Shumësportesh Partizani, në vitet 2006-2008…. Afrimi e ka gjetur Klubin shumësportesh kur e ka marrë jo në gjendje të mirë. Në kohën që ka qenë drejtor është rregulluar palestra e mundjes, duke u vendosur tapeti. Tapeti është financuar nga Met Malaj, i cili ka qenë president i mundjes. Investimi është bërë privatisht. Palestra e volejbollit është bërë me miqtë e Afrimit. Kanë pasur arritje edhe në fushën sportive. Për dy vjet Afrimi ka bërë shumë ndërkohë që nga paraardhësi i tij nuk ishin bërë këto gjëra. Në klubin shumësportesh sa kohë ka qenë Afrimi ka qenë një godinë kryesore ku ka qenë shtanga, mundja, karate, zyrat e punonjësve, radio amatorizëm. Godinë tjetër ku ka qenë basketboll, volejboll, gjimnastikë, ishin të lidhura bashkë mesa i kujtohet. Ka qenë edhe një magazinë e plaçkave. Gjithashtu ka qenë edhe një pishinë në Laprakë në varësi të klubit Partizani.
…Klubi i futbollit mesa i kujtohet ka pasur një godinë, katër katëshe ku kanë qenë dhomat e zhveshjes. Nuk i kujtohet të ketë pasur ndonjë godinë tjetër. Kurse një stacion meteorologjik, nuk i kujtohet nëse ka qenë apo jo pjesë e klubit shumësportesh.
Pra nga sa më sipër cituar, pavarësisht pretendimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, rezulton e provuar se shoqëria Partizani sh.a. ka vijuar të jetë e regjistruar dhe të ushtrojë aktivitetin pikërisht në ambientet e Klubit të Futbollit Partizani ndërkohë që ky objekt ka qenë në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe kjo shoqëri madje ka marrë edhe miratimin e Federatës. Ndërkohë, Klubi Shumësportesh Partizani, ka vijuar të qëndrojë në varësinë e Ministrisë së Kulturës. Kërkesat për privatizim të paraqitura nga shoqëria Partizani.”, sqarohet më tej në dosjen e SPAK.