Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ilir Meta në panik, merr në mbrojtje Sali Berishën dhe sulmon prokurorët specialë pas kopsitjes së dosjes së pastrimit të parave nga SPAK, gati arrestimi i një tjetër ish-ministri të Edi Ramës

Zhvillimet e fundit që vijnë nga Struktura e Posaçme Kundërt Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe vendosmëria e prokurorëve specialë për t’i dhënë fund pandëshkushëmërisë në Shqipëri duket se ka futur në panik ish-presidentin Ilir Meta.

Prej javësh flitej në korridoret e politikës dhe medias se dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi do arrestohej, ndërsa emrat e tjetër që përfliten se do të prangosen në ditët në vijim janë Meta i përfshirë në pastrim parash në Amerikës përmes lobimeve të bëra nga LSI dhe ish-ministri i Ramës, Ilir Beqaj i përfshirë në aferën e koncesioneve në shëndetësi.

Por teksa sheh që laku po i ngushtohet dhe radha e prangave është për të, dje kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka marrë në mbrojtje ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili është vënë nën hetim nga SPAK, teksa akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendore, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Permes një statusi në rrjetet sociale, Meta theksoi se vendimi u mor me urdhër të kryeministrit Edi Ramës, ndërsa sulmoi hapur prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, të cilët i kanë kopsitur tashmë dosjen e pastrimit të parave kreut të PL. “Drejtësia me regji ka ndërmarrë veprimet e saj antikushtetuese dhe të paligjshme ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike Prof. Dr. Sali Berisha me urdhër politik të Edi Ramës. Këto veprime, që kanë shkelur me këmbë edhe Parlamentin e Shqipërisë kërkojnë shmangien e vëmendjes nga korrupsioni dhe përgjegjësitë shumë të rënda personale të Edi Ramës për aferën e inceneratorëve dhe mjaft aferave të tjerave qindra milionëshe.

Qëllimi politik i vetëm është shantazhi dhe intimidimi i opozitës, e cila po denoncon me këmbëngulje të vërtetat shumë të hidhura të korrupsionit mafioz të Qeverisë”, shkroi Meta.

Hetimet

Ndërkohë kujtojmë se aktualisht në tryezën e Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndodhen dy dosje të bujshme dhe mjaft të “nxehta” për Ilir Metën. Bëhet fjalë për dosjet e CEZ-DIA dhe pastrimit të parave të pista, të cilat pritet t’i hanë kokën ish-presidentit, familjarëve të tij, dhjetëra zyrtarëve dhe disa ish-ministrave.

Burime të gazetës “Sot” bëjnë me dije se hetimet janë drejt fundit dhe shumë shpejt priten rezultate. Por ajo që duhet theksuar është se ai që po kujdeset që të çojë Ilir Metën drejt burgut është një prokuror “i hekurt”, i trajnuar nga amerikanët. Dy dosjet janë në dorë të prokurorit të njohur Sotir Kllapi. Si fillim njeriu që ka hetuar dosje të tjera të bujshme, njëra prej të cilave është rihapur dhe është në fazë hetimi si CEZ-DIA, ku është përfshirë edhe ish-presidenti Meta, tregon se ky i fundit do ta ketë pisk punë dhe do të ketë telashe, pasi ka përballë një magjistrat që busull dhe kryefjalë ka vetëm ligjin.

Romeo Kara, ish-juristi i OSSH, i cili denoncoi aferat me privatizimin e këtij organi dhe një prej dëshmitarëve kyç të aferës CEZ-DIA, në një intervistë të fundit për gazetën “SOT” paralajmëroi se së shpejti do të kemi lajme të bujshme në lidhje me këtë skandal, pasi Prokuroria e Posaçme do të fillojë me “prerjen e kokave”. Burime bëjnë me dije se dosja është qepur nga SPAK dhe në javët në vijim do të priten urdhër-arreste.

“Peshku i madh”që rrezikon arrestimin është Ilir Meta, i cili u thirr për herë të parë më 22 shkurt të vitit 2023 brenda Prokurorisë së Posaçme dhe u pyet për tre orë. Sotir Kllapi thuhet se ka mbledhur të gjitha provat, të cilat tregojnë se Meta është përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash, duke gllabëruar paratë e qytetarëve shqiptarë gjatë kohës kur kreu aktual i partisë së Lirisë ka qenë ministër i Ekonomisë në qeverinë “Berisha 2” gjatë viteve 2009-2011.

Ndërkohë përveç CEZ-DIA, Meta është në ankthin e prangave për pastrim parash. Letër-porositë e tjera të dërguara nga SPAK drejt vendeve të huaja duket se po e mbajnë nën ankth kreun e Partisë së Lirisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i janë përgjigjur së fundmi një letërporosie të përcjellë vitin e kaluar nga SPAK sa i takon dosjes së lobimit. Dokumenti amerikan detyroi të gjithë kupolën e LSI që të zbarkojë një nga një në dyert e SPAK.

Ndërkohë Meta është ende në ankth pasi të tjera prova tronditëse pritet të vijnë për strukturën-antikorrupsion. SPAK pret përgjigje nga Qipro, Austria dhe San Marino të cilat duhet të japin përgjigje për ndërhyrjet estetike disa milionëshe të denoncuara nga avokati Idajet Beqiri për familjen Meta. Janë bashkuar disa kallëzime për Ilir Metën dhe të gjitha për pastrim parash që po hetohen nga prokurori Sotir Kllapi.

Pra ky i fundit ka shtrirë hetimet në disa vende si në Qipro, Austri, Itali dhe në San Marino dhe të gjitha shërbejnë për të “qepur” mirë dosjen e Metës. Si do që të jetë vendimmarrja, Sotir Kllapi do të jetë në qendër të vëmendjes dhe një nga njerëzit që do të lakohen më shumë gjatë kësaj vjeshte dhe ndoshta edhe gjatë vitit 2024.

Ja kush është Sotir Kllapi

Po kush është Sotir Kllapi, njeriu që ka në dorë mundësinë historike për t’i dhënë goditjen e parë serioze korrupsionit në nivelet e larta dhe kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri?! Ai ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009. Fillimisht ka nisur punën si prokuror në Prokurorinë e Tiranës.

Më pas ka ushtruar funksionin e prokurorit në Fier dhe Durrës deri në vitin 2014. Nga viti 2014 deri në vitin 2020, Sotir Kllapi ka drejtuar Prokurorinë e Pogradecit. Ndaj Kllapit nuk është regjistruar asnjë masë disiplinore. Gjatë karrierës, prokurori është vlerësuar shumë mirë prej Prokurorisë Durrës për vitet 2012-2013, është vlerësuar shumë mirë nga prokuroria Pogradec për vitet 2014, 2015 dhe 2016.

Në maj të vitit 2020, Kllapi u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në SPAK, duke u vlerësuar me 174 pikë, në krye të të gjithë kandidatëve, duke lënë pas Dritan Prençin, Vladimir Marën dhe Dorina Bejkon.