Pas Parlamentit edhe Këshilli Europian pritet të dënojë me forcë sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës në Banjskë. Në draftin e konkluzioneve që pritet të miratohet në samitin e liderëve të BE-së që do të mbahet të enjten dhe të premten në Bruksel i bëhet thirrje Beogradit të bashkëpunojë për hetimin dhe vënien e përgjegjës të këtij sulmi para drejtësisë.
“Këshilli Evropian është thellësisht i shqetësuar për situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Fuqishëm dënon sulmet e dhunshme ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023. Bashkimi Evropian pret që kryesit të kapen dhe të vihen shpejt para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e domosdoshëm”.
Më tej në draftin e publikuar nga mediat Prishtinës dhe Beogradit i bëhet thirrje për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
“Normalizimi i raporteve është një kusht thelbësor për rrugëtimin evropian të të dyja palëve dhe që të dyja rrezikojnë ta humbin rastin e rëndësishëm në mungesë të progresit. Dështimi në shtensionim do të ketë pasoja. Ftojmë Kosovën dhe Serbinë te zbatojnë marrëveshjet, pa vonesa dhe pa parakushte. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit”.
Ky draft deri në samitin e BE-së mund të pësojë ndryshime dhe kjo varet edhe nga përgjigja qe Prishtina dhe Beogradi duhet të japin brenda së enjtes për propozimin e ri të paraqitur nga 5 të dërguarit ndërkombëtar për dialogun.