Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Save the Children thotë se të paktën 2000 fëmijë janë vrarë deri më tani në Gaza

Organizata jofitimprurëse ndërkombëtare Save the Children po bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, duke thënë se numri i fëmijëve të vrarë në Gaza ka arritur të paktën 2,000.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të mbrojtur jetët e fëmijëve dhe komunitetit ndërkombëtar që t’i mbështesë ato përpjekje,” tha organizata  në një deklaratë të hënën , duke shtuar se sulmet ajrore izraelite “po vrasin dhe plagosin fëmijë pa dallim”, raporton CNN.

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza tha se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite  në territorin e rrethuar ka arritur të paktën 5,087, duke përfshirë 2,055 fëmijë dhe 1,119 gra.

Save the Children shtoi se më shumë se 1 milion fëmijë janë “të bllokuar” në Gaza pa asnjë vend të sigurt për të shkuar. Organizata humanitare paralajmëroi për ndikimet shkatërruese të mungesës së ilaçeve dhe energjisë elektrike për të fuqizuar infrastrukturën shëndetësore në enklavën me popullsi të dendur.

“Sistemi shëndetësor [në Gaza] ka arritur fazën më të keqe në historinë e tij,” tha zëdhënësi i ministrisë së shëndetësisë, Ashraf Al-Qudra, në një deklaratë të martën.