Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin Minxhozi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e deritashëm të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Sipas komunikatës për medie të Kuvendit, në këtë takim, kryetari Konjufca falënderoi ambasadorin Minxhozi për kontributin dhe për nivelin e lartë diplomatik të cilin e instaloi, me bindjen se do të jetë shembulli me të cilin do të krahasohet çdo iniciativë dhe përpjekje e ardhshme ndërshtetërore, për vitet që do të vijnë.

Kryetari Konjufca shprehu mirënjohjen e tij për punën e ambasadorit Minxhozi në drejtim të thellimit të bashkëpunimit të ngushtë mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Vlerësojmë lart angazhimin tuaj në gjithë këto vite në shërbim të interesit të popullit tonë, duke punuar me devotshmëri për afrimin e vazhdueshëm të raporteve mes institucioneve të dy shteteve tona, në të mirë të qytetarëve dhe aspiratave tona të përbashkëta”, tha kryetari Glauk Konjufca.

Ambasadori Minxhozi falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen e ngrohtë dhe potencoi rolin e tij në forcimin e bashkëpunimit midis dy parlamenteve.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se marrëdhëniet e dy shteteve vëllazërore duhet të jenë të prioritetit më të lartë dhe të një niveli të padiskutueshëm, përbrenda aspiratës së interesave dhe qëllimeve të kombit shqiptar.