Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Elshani nuk e përjashton mundësinë e një sulmi të dytë në Kosovë

 
   

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në rajonin e veriut, Veton Elshani, nuk e përjashton mundësinë e një sulmi të ngjashëm në Kosovë, si ai i 24 shtatorit në Banjskë.

Megjithatë, Elshani vlerësoi që situata aktuale në veri është e qetë, por paksa delikate.

“Duke marrë parasysh situatën delikate në të cilën ndodhemi, nuk mund të përjashtojmë asgjë, apo ndonjë sulm të mundshëm. Në fakt, nuk kemi përjashtuar as për muajin e kaluar, por vetëm nuk e kemi ditur mënyrën se si do të ndodhë sulmi. Data 24 u ka treguar të gjithëve që Policia e Kosovës është në gjendje të përballet me situata të rrezikshme. Situata në veri të vendit është e qetë, mirëpo është delikate duke marrë parasysh zhvillimet politike. Rasti i 24 shtatorit e ka rënduar situatën mjaft shumë”, deklaroi Elshani.

I pyetur se a ka dyshime për lokacionet tjera me armë, Elshani tha se Policia e Kosovës po kryen bastisje e kontrolle të ndryshme, që nga sulmi në Banjskë.

“Para rastit të 24 shtatorit, ne kishim filluar disa operacione policore duke u bazuar në inteligjencë, e ku kemi gjetur armatime të ndryshme. Ne tani jemi në krye të detyrave tona, që do të thotë bastisje të ndryshme, kontrolle të ndryshme”, potencoi tutje Elshani.

Po ashtu, Elshani tregoi se qytetarët e veriut janë shumë të afërt dhe bashkëpunues me Policinë e Kosovës.

Kujtojmë se në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.