Ushtria e Izraelit u sugjeroi të martën Kombeve të Bashkuara t’i kërkojnë Hamasit furnizim me karburant, pasi agjencia e OKB-së që u ofron ndihma civilëve palestinezë në Rripin e Gazës paralajmëroi se do të detyrohet ta ndërpresë punën të mërkurën mbrëma, nëse nuk furnizohet me karburant.
Agjencia, e njohur si UNRWA, e bëri këtë paralajmërim në rrjetin social X.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) iu përgjigjën duke i thënë se militantët e Hamasit i kanë më shumë se 500.000 litra karburant në rezervarë brenda Gazës së rrethuar.
“Kërkojani ca Hamasit”, shkroi IDF-ja.
These fuel tanks are inside Gaza.
They contain more than 500,000 liters of fuel.
Ask Hamas if you can have some. https://t.co/Dlag6VdbMq pic.twitter.com/WXzZMFr8yI
— Israel Defense Forces (@IDF) October 24, 2023
Rafah është pikëkalimi kryesor për hyrje dhe dalje nga Gaza që nuk është në kufi me Izraelin. Ai është bërë fokusi kryesor për të dërguar ndihma në Gazë qëkur Izraeli e rrethoi plotësisht këtë enklavë si përgjigje hakmarrëse ndaj sulmeve nga militantët e Hamasit në qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor.
Shtetet e Bashkuara po iu prijnë bisedimeve me Izraelin, Egjiptin dhe OKB-në në përpjekje për ta krijuar një mekanizëm të qëndrueshëm të furnizimit me ndihma në Gazë.
Derisa është lejuar furnizimi i kufizuar me ushqim, ujë dhe ilaçe prej të shtunës së kaluar, asnjë pikë karburant nuk është futur në Gazë deri tani.
Izraeli shqetësohet se karburanti mund të bjerë në duart e militantëve të Hamasit dhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, John Kirby, i përshkroi shqetësimet e Izraelit si të arsyeshme.
“Por ne ende besoj, në përgjithësi, se karburanti duhet t’u dërgohet njerëzve në Gazë”, tha Kirby.
OKB bën thirrje për armëpushim në Gazë
Zyrtari i lartë i OKB-së, Lynn Hastings, tha të martën në Këshillin e Sigurimit se Kombet e Bashkuara i kanë 400.000 litra karburant në cisterna në Egjipt, të cilat janë të gatshme për të dërguar karburant për dy apo dy ditë e gjysmë.
Megjithatë, zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Daniel Hagari, e akuzoi të martën Hamasin se po vjedh karburant nga UNRWA.
“Karburanti nuk do të futet në Gazë. Hamasi e merr atë për infrastrukturë ushtarake”, tha ai.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të martën se, përveç spitaleve që u detyruan të mbylleshin për shkak të dëmtimit dhe sulmeve, “gjashtë spitale në Rripin e Gazës janë mbyllur tashmë për shkak të mungesës së karburantit”./rel/