Dëshmitarin Mark Shala është duke e marrë në pyetje trupi gjykues nëpërmjet gjyqtarit Gilbert Bitti, i cili tha se dëshmia e tij ka kontradikta me atë se çfarë ai kishte thënë gjatë intervistës për Zyrën e Prokurorit të Specializuar në vitin 2019.
Kontradikta që sipas gjyqtarit Bitti ka të bëjë me përshkrimin që dëshmitari i kishte bërë rolit të Pjetër Shalës në operacionin “Shigjeta”.
Sipas gjyqtarit, në vitin 2019 dëshmitari kishte thënë se Pjetër Shala nuk kishte asnjë rol.
“Edhe atëherë e kam kuptu pyetjet në atë mënyrë se kur thuhet a ka pas ndonjë rol, në gjuhën shqipe kuptohet a ka pasur ndonjë pozicion. Nëse ky ka qenë pjesëtar i UCK-ë nëse s’ka pas rol të komandantit ai ka pas mundësi ta ketë rolin e ushtarit. Unë e kuptoj vetëm kështu”, tha dëshmitari.
I pyetur se kur ishte kyçur në operacionin “Shigjeta” Pjetër Shala, dëshmitari tha që pas takimit të parë që kishte pasur.
Në pyetjen e gjyqtarit Bitti, u ndërlidh edhe avokati mbrojtës i Pjetër Shalës, Mohamed Hedi Aouini.
“Pak më herët gjykatësi Bitti foli për operacionin “Shigjeta” dhe fillimin e operacionit në mes 35 maj dhe 30 maj a ka pasur ushtar në front të pozicionuat dhe a ka pasur luftime para se te fillonte operacioni Shigjeta”, pyeti avokati Hedi Aouini.
Dëshmitari tha se në njërin drejtim kishte luftime dhe ai ishte drejtimi i Koshares ndërsa, në drejtimet tjera kishte pozicione.
“Në drejtimin e Koshares, ato kanë fillu qysh herët, kanë fillu diku në prill dhe aty luftimet vec kanë qenë të nisura qysh më herët. Ato kanë filluar nga 9-10 prilli. Këto drejtime të tjera kanë qenë në pozicione, por luftime të drejtpërdrejta nuk ka pasur deri sa ka fillu operacioni”, tha Shala.
Gjyqtari Bitti pyeti edhe për punën që ka pasur dëshmitari Shala në logjistikë gjatë kohës së luftës në Kosovë ku dëshmitari tha se ka qenë punë e lodhshme.
“Puna e logjistikës është shumë e lodhshe, shumë e vështirë dhe në bazë të përvojave të mija që i kam pas nga karriera ime e përparshme nga cdo armatë që kamë shërby, e kam vërejtë që logjistika është një punë e vështirë. Ju e dini që njerëzit që kanë kryer shërbim ushtarake, rol kyc të një ushtrie e luan logjistika.. Në luftë diku deri në 5-8 vetë të logjistikës duhet t’i shërbejnë një ushtari në front, për arsye se ai duhet të jetë i furnizuar, me veshmbathje, ushqim, armatim, municion, t’i krijoj vend për pushim etj. Në atë kohë edhe shëndetësia ka qenë në kuadër të logjistikës, edhe financat dhe të gjitha këto është dashur që t’i kryej logjistika”, tha Shala.
Pas kësaj deklarate, gjyqtari Bitti tha se si ka mundur të ndodhë një takim i relaksuar sic është përshkruar nga dëshmitari me Pjetër Shalën, kur ka qenë i ngarkuar me punë.
“Jo vetëm me Pjetër Shalën, por ne edhe kohë pas kohe edhe pse kemi pas punët mëdhaja nganjëherë kemi gjetë ndonjë moment që të relaksohet. Njeriut i nevoitet që të relaksohet. Ndoshta ndonjë mbramje jemi mbledhur edhe me pjesëtar të tjerë dhe jemi relaksu. Ai takim nuk ka qenë i gjatë, por kur takohesh me një njëri pas disa vitesh normal që gjen kohë ta pish një kafe dhe ndjehesh më i relaksuar”, u përgjigj dëshmitari Shala në pyetjen e gjyqtarit Bitti.Dëshmitari Mark Shala pritet që të merret sot në pyetje nga trupi gjykues
Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë pritet që të vazhdojë dëshminë e tij dëshmitari Mark Shala, i katërti i mbrojtjes në çështjen ndaj Pjetër Shalës.
Gjatë ditës së sotme, pyetjet drejtuar dëshmitarit Shala pritet që t’i parashtrojë trupi gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kjo u bë e ditur në seancën e së martës nga kryetarja e trupit gjykues Mappie Veldt-Foglia, pasi për dëshmitarin përfundoi pyetjet mbrojtja e viktimave përmes avokatit Simons Laws.
Dëshmitari Shala dëshminë e tij e ka filluar me 23 tetor 2023 dhe sot është dita e tretë e dëshmisë së tij.
Gjatë marrjes në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes prokurores Gaia Pergolo, mbrojtjës së Pjetër Shalës, përmes avokatit Mohamed Hedi Aouini dhe mbrojtjës së viktimave përmes avokatit, Simon Laws, Shala foli për uzinën e metalit në Kukës, funksionet e saj dhe për Pjetër Shalën.
Për Pjetër Shalën ai tha se ishte takuar vetëm dy herë gjatë periudhës kur ai ishte udhëheqës i logjistikës në uzinën e Kukësit.
Përveç Shalës, dëshmitari Mark Shala u pyet edhe për njerëz të tjerë si; Fatmir Limaj, Ramush e Daut Haradinaj, Sabit Geci, Xhemshit Krasniqi, Ruzhdi Saramati etj. Ndërsa, tha se nuk kishte parë as dëgjuar qe ka pasur persona të ndaluar në uzinën e metalit në Kukës.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.