Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është i të njëjtit mendim me kryeministrin Albin Kurti, se pa u sanksionuar Serbia për sulmin e 24 shtatorit nuk ka dialog me Serbinë.
I pyetur nga gazetarët për këtë çështje ai tha shkurt “mendoj që është qëndrim plotësisht i arsyeshëm”. Konjufca shtoi se nuk e di pse është thirrur takimi i së enjtes në Bruksel, duke shtuar se Kosova nuk ka kohë që të dëgjojë premtimet e kota të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Madje tha se institucionet Republikë si dhe Policia e Kosovës po përgatiten për sulme të ardhshme të mundshme.
“Nuk e di edhe pse është thirr ky takim në Bruksel ne nuk kemi kohë t’i dëgjojmë premtimet e kota të Vuqiçit se është paqësor, ne jemi duke u përgatitë si Republikë dhe si Polici e Kosovës, për sulme të ardhshme të mundshme. Siç tha edhe Ministri i Brendshëm që grupe po ushtrojnë në Serbi”.
Përderisa për planin “modern”, për Asociacionin ai pohoi se në shikim sipërfaqësor është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës.
“Në një shikim sipërfaqësor, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë. Por edhe kjo nuk mendoj që është temë e negociatave me Serbinë. Nëse ndonjëherë ndodhë ndonjë draft i Asociacionit ai do të propozohet nga Republika e Kosovës, nëse ndodhë, nëse jo nuk do të propozohet fare dhe nuk do të ishte rezultat i negociatave. Rezultat i negociatave është marrëveshja e Ohrit e cila është pranuar nga Republika e Kosovës, por jo edhe nga Serbia”.
“Për Asociacion nuk duhet negociohet, nuk është asociacioni temë qendrore e negociatave me Sebrinë. Ai është si një marrëveshje e më hershme e vitit 2013. Pas shkarkimit të grupit i cili e ka pasur për qëllim për të propozuar një draft të asociacionit, e cila ka ndodhur, por ajo ishte një formë e kamufluar e Republikës Serbë, u refuzua nga Kosova dhe ky grup u shkarkua nga ana e qeverisë. I takon Kosovës, nëse mendon që mund të bëhet një asociacion në përputhje të plotë me Kushtetutën, pa kompetenca ekzekutive atëherë është përgjegjësi e Kosovës, jo e Serbisë”.
Kur foli për përzgjedhjen e kryetari të ri të Listën Serbe, ai tha se institucionet e Kosovës duhet të shqyrtojnë me shumë kujdes sa i përket ligjshmërisë e veprimtarisë së saj.
“Dje ajo ishte maskaradë që ndodhi, proces tërësisht i inskenuar zgjedhja e një kryetari të ri, për shkak se ata po mendojnë se Lsita Serbe mund t’i lajë duart prej 24 shtatorit, nuk mundesh kështu të fshehësh pas asaj. Radojqici ishte nënkryetar De Jure por të gjithë e dimë se ka qenë kryetar De Facto. Institucionet e Kosovës, Listën Serbe duhet të shqyrtojnë me shumë kujdes sa i përket ligjshmërisë së veprimtarisë së saj politike dhe të drejtës së saj për të garuar në zgjedhje. Shpallja e zgjedhjeve është proces që kërkon kohë. Procesi më i rëndësishëm është ai i sigurisë”.