Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Lushtaku i përgjigjet Ambasadorit gjerman që i kërkoi një pjese të opozitës t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

Kritika e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde drejtuar opozitës për mos miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, po konsiderohet si e njëanshme nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku. Ai u shpreh i habitur se përse kritika të ngjashme nuk po i drejtohen edhe pozitës, derisa shton se pavarësisht miratimit të disa marrëveshjeve nga opozita, ato nuk janë implementuar.

Në një postim në rrjetin social X, Rohde ka shkruar se me mosmiratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare po vihen në rrezik projekte të mëdha energjetike e bujqësore.

Në një intervistë për KosovaPress, Lushtaku thotë se janë mbi 800 milionë euro që janë në marrëveshje ndërkombëtare, të cilat janë aprovuar me shumicë parlamentare dhe nga vetë ata si opozitë. Derisa potencon se të njëjtat nuk po implementohen dhe që nuk po gjejnë zbatim.

“Është mirë që ambasadori ka bërë një kritikë, sepse ndonjëherë na kanë munguar, por për çudi këto kritika janë vetëm për opozitën, nuk janë për pozitën, gjë që më bën të habitem edhe më shumë. Pse më bën të habitem? Ne i dimë shumë marrëveshje ndërkombëtare që i kemi votuar si opozitë, pavarësisht a na kanë dhënë meritën apo jo. Nuk janë implementuar dhe nuk po implementohen. Janë mbi 800 milionë euro që realisht janë në marrëveshje ndërkombëtare që janë aprovuar me shumicë parlamentare edhe nga ne si deputetë të opozitës dhe që nuk po implementohen, janë të ngathët dhe realisht nuk po gjejnë zbatim. Kritika të ngjashme ishte dashur të jepen edhe qeverisë dhe pozitës në përgjithësi. Ndërsa, ne e dimë shumë mirë që edhe kur kemi dhënë mbështetje në marrëveshjet ndërkombëtare ka pasur kritika nga ana jonë dhe nuk kanë reflektuar”, tha Lushtaku.

Në intervistën për KosovaPress, Lushtaku foli edhe për qëndrimin e Bashkimit Evropian karshi Serbisë lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, duke thënë se është për t’u habitur fakti që Serbia ende nuk është sanksionuar.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të zhvillojnë takime të ndara me katër liderët evropianë më 26 tetor në Bruksel.

Bashkimi Evropian konfirmoi se Kurti dhe Vuçiq janë ftuar në Bruksel në margjinat e samitit të Këshillit Evropian të enjten.

Lidhur me këtë, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku konsideroi se kryeministri Kurti po bën hapa të gabueshëm në këtë drejtim. Ai thotë se Kurti dalëngadalë po kthehet në hapat e liderëve të mëparshëm që vetë i ka kritikuar.

Ndryshe, burimet diplomatike thonë se plani është që në margjinat e këtij samiti, Kurti dhe Vuçiq të kenë takime të ndara me katër liderët evropianë, përfaqësuesit e të cilëve vizituan Kosovën dhe Serbinë më 21 tetor.

Sipas burimeve, plani është që “katër liderët, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell, të kenë takim të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e samitit të BE-së të enjten”.