“Kryeministri Rama ndonjëherë po harron që është shqiptar”, vlerësoi kështu, Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani.
Agani ka thënë se iniciativa “Ballkani i Hapur”, ka bërë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ta ndjejë veten më shumë si ballkanik.
“Rama e njeh mirë Kosovën, e njeh mirë realitetin e Kosovës. Mirëpo, duhet kuptuar pozita e kryeministrit të Shqipërisë nga një kënd tjetër. Rama është duke u shndërruar gjithnjë e më tepër, e kjo nga gëzon të gjithëve, jo vetëm ai, por Shqipëria si shtet në rajon, si një prej liderëve të Ballkanit. Ne e pamë edhe mbledhjen e liderëve të Procesit të Berlinit në Tiranë, e pamë autoritetin që Shqipëria e ka në këtë drejtim. Rama ndonjëherë po harron që është shqiptar, së pari po e ndjen veten si ballkanik. Duket që nga iniciativa e Ballkanit të Hapur, Rama e ka pasur vizionin e tij”, deklaroi Agani në emisionin “Infonata”.
Më tej, Agani ka pretenduar që Rama ka harruar obligimin e tij parësor që ka ndaj shtetit të Kosovës.
“Duke jetuar me rolin e liderit të Ballkanit, në një farë mënyre e harroi obligimin e tij parësor që e ka, pra që të bashkëjetoj me dhimbjet e Kosovës dhe të jetë më i ndjeshëm ndaj këtyre nevojave”, shtoi tutje Agani.