Kryeministri australian, Anthony Albanese njoftoi të mërkurën një ndihmë humanitare shtesë prej 15 milionë dollarësh për civilët në Gaza, duke e çuar ndihmën totale të premtuar nga vendi në 25 milionë dollarë.
“Kjo i shtohet 10 milionë dollarëve që Australia ka zotuar tashmë dhe do të ndihmojë në ofrimin e ndihmës për shpëtimin e jetës, si uji i urgjencës dhe shërbimet mjekësore”, tha Albanese gjatë një konference të përbashkët shtypi me presidentin amerikan Joe Biden në Uashington.
Albanese dënoi gjithashtu “terrorizmin e Hamasit” dhe tha “ne pikëllojmë për humbjen e çdo jete të pafajshme, qoftë ajo izraelite apo palestineze”, raporton CNN.
Të mërkurën, Australia bëri thirrje për “pauza humanitare në armiqësitë” në Gaza për të lejuar hyrjen e furnizimeve dhe kalimin e sigurt për civilët, sipas një deklarate nga ministrja e Jashtme Penny Wong.