Ngjarja e rëndë që ndodhi një ditë më parë në gjimnazin “Hydajet Lezha”, ku një 17-vjeçar goditi me karrige mësuesen pas një debati në klasë, ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet por jo vetëm.
Shkak për ngjarjen, raportohet se ka qënë përmendja e babait të ndjerë të adoleshentetit nga ana e arsimtares, ndërsa rasti është transmetuar mesditën e kësaj të enjte në një program televiziv ku janë marrë dëshmitë e familjarëve dhe nxënësve dëshmitarë në ngjarje.
Motra e 17-vjeçarit, ka rrëfyer se vëllai i saj është shumë i ndjeshëm ndaj vdekjes së babait, i cili është ndarë 4 vite më parë.
Sipas saj mësuesja nuk ushtronte sjellje korrekte me nxënësit dhe se e ka kërcënuar të riun duke ngarkuar situatën. Nga ana tjetër ajo tha se kishin njoftuar një protestë për rastin e ndodhur përpara shkollës, por institucionet e kanë ndaluar.
“Mësuesja i bërtiti duke i thënë se do e mbash mend. Vëllai e ka vuajtur dhe e vuan shumë humbjen e babait. Ne jemi në kujdestarinë e xhaxhait. Ka qenë 13 vjeç kur babai humbi jetën. Sot ishte paralajmëruar protestë, por nuk u zhvillua. Nuk na lejuan ta zhvillonim protestën”, tha ajo.
Edhe xhaxhai i adoleshentit të arrestuar fajëson arsimtare për rastin, megjithatë ai deklaron se ka nënshkruar një deklaratë me bashkëshortin e mësueses ku janë pajtuar.
“Isha te drejtoria e shkollës. Djali është ndër fëmijët më të rregullt të shkollës. E ka nga acarimi i të atit që i ka vdekur. Ngjarja ka ndodhur kështu. Ajo mësuesja si fëmijët ka kenë duke qesh me njëri-tjetrin. Fillimisht e ka pas me dikë tjetër. Pastaj është kthyer tek djali i vëllait dhe i ka thënë se do të të ngel në klasë dhe do të vë 4. I ka thënë ça është ajo familje që të ka sjellë në jetë ty. Kemi edhe kamera të vajzës që e ka kapur për flokësh. Po deshe të sjell edhe opinionin e klasës. Dje me burrin e asaj kemi bërë një deklaratë dhe jemi pajtuar me të. I ka thënë për shpirtin e babait dhe tëndin. Vëllai ka 5 vjet që ka ndërruar jetë”, tha ai.
Nga krahu tjetër bashkëshorti i mësueses së dhunuar është shprehur, se gruaja e tij, nuk ka pasur si qëllim që të fyente nxënësin e saj, dhe e gjitha ka qënë një keqkuptim.
“Ajo nuk e ka pasur qëllimin ta ofendojë. Gruaja ime është mësuese dhe e di, i njeh nxënësit. Aty ka fëmijë problematik. Te gjithë fëmijët problematik mblidhen ne një klasë”, pohoi burri i mësueses, e cila ndodhet në spitalin e Traumës, pasi ka marrë fraktura në kokë dhe trup pas goditjes nga një karrige.
Mes të tjerash ai tregoi se “ka pasur një keqkuptim mes saj dhe nxënësit ku ajo i ka thënë; Për shpirt të babait tim”, dhe ai e ka marrë sikur i ka përmendur babain e tij të ndjerë”,- shprehet ai.
Ndërkohë mësuesja, Majlina Palushi, raportohet se aktualisht ndodhet tek “Trauma” pasi ka marrë fraktura të shumta në trup.