Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sveçla në Spanjë, bën thirrje për sanksionim të Serbisë që sulme si i 24 shtatorit të mos përsëriten më

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në Forumin e Ministrave të Brendshëm që është mbajtur nën organizimin e presidencës spanjolle të Këshillit të Evropës dhe Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Sveçla tha se gjatë këtij forumi u diskutua për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, luftimin e substancave narkotike në shoqëri, migrimin, azilin dhe menaxhimin e integruar të kufirit.

Postimi i plotë:

“Në Forumin e Ministrave të Brendshëm që është mbajtur sot nën organizimin e Presidencës Spanjolle të Këshillit të Evropës dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, diskutuam për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, luftimin e substancave narkotike në shoqëritë tona, migrimin, azilin dhe menaxhimin e integruar të kufirit.

Në fjalën time theksova angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, veçanërisht duke njohur faktin që institucionet tona dhe zyrtarët tanë, prej më shumë se dy vitesh janë ballafaquar me sulme të njëpasnjëshme terroriste në veriun e vendit tonë. Duke përshëndetur Rezolutën e Parlamentit Evropian që dënon sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku humbi jetën Rreshter Afrim Bunjaku, ritheksova rëndësinë e sanksionimit të Serbisë si parandalim që sulmet e tilla të mos përsëriten më. Theksova se falë angazhimit dhe profesionalizmit të Policisë sonë, me 24 shtator u parandalua një katastrofë dhe u mbrojtën jetët e qytetarëve, të zyrtarëve të tjerë policor, sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës sonë.

Prezantova angazhimet tona si institucione në fushën e drogave, migrimit, azilit dhe menaxhimit të integruar të kufirit si në aspektin e legjislacionit i cili është në përputhje të plotë me direktivat e BE-së, bashkëpunimin me shtetet e rajonit në këto dhe me Agjencitë e BE-së në këto fusha.

Rikonfirmova gatishmërinë tonë të plotë për bashkëpunim dhe avansim të politikave që synojnë siguri, paqe e drejtësi për vendet tona dhe për rajonin tonë.