Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka deklaruar se nëse ndodhë zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë pa njohjen e Serbisë, është “tradhti kombëtare”.
Spahiu gjithashtu ka theksuar se nëse kjo ndodh nga ana e kryeministrit Albin Kurti, do të jetë edhe ai njësoj si liderët e mëparshëm të Kosovës.
“Me kompetenca të vogla apo të mëdha nuk është e mire Zajdenica [Asociacioni], qoftë me kompetenca të vogla apo të mëdha. Sepse ajo i kushton taksa paguesve të Kosovës. Edhe ata nuk po e bëjmë ne prej qejfit po prej zorit. Tjetër çka është pranimi tjetër është pranimi, nëse fillon ta zbatojë Asociacionin pa e marrë njohjen për mua është tradhti kombëtare është njësojë siç kanë vepruar udhëheqësit e mëparshëm të Kosovës që i kanë dhënë sene veresi”, ka deklaruar Spahiu.
Por, analisti politik Visar Ymeri ka theksuar se as udhëheqësit e mëparshëm nuk e kanë zbatuar Asociacionin.
Por, Spahiu i ka replikuar duke thënë se ata kishin sjellë një situatë të keqe për Kosovën.
Spahiu ka shtuar se në planin franko-gjerman është paraparë që Asociacioni të jetë pjesë e njohjes dhe se është ende i bindur se kryeministri Kurti nuk do ta zbatojë Asociacionin pa njohjen e Serbisë.
Po ashtu, ai ka shtuar se nëse Asociacioni zbatohet pa njohjen nga Serbia, ajo do të paraqesë kërkesa të tjera për njohje, duke e cilësuar këtë si diçka negative për Kosovën.
“Nëse e bën Asociacionin edhe pret të të njohë Serbia, ajo do ta vendos edhe një kërkesë tjetër për të të njohur, kjo është e keqja”, ka thënë Spahiu.
Ndër të tjera, Spahiu ka deklaruar se jo çdo lloj Asociacioni vlen të pranohet nga Serbia.