Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Analistët vlerësojnë lart paraqitjen e presidentes Osmani në KS të OKB-së – kjo është thirrja urgjente për ndërkombëtarët!

Ditë më parë është mbajtur mbledhja e Këshilli të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua për raportin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë paraqitjes para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha se Serbia dëshiron territor të Kosovës “por, nuk do ta marrë kurrë”.

Gjithashtu presidentja përmendi sulmin e 24 shtatorit duke treguar publikisht që Serbia është fajtore.

“Ne duam paqe dhe Serbia e dëshmoi më 24 shtator se do luftë. Por, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, më 24 shtator plani ishte “destabilizimi i rajonit” të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm i Kosovës.

Këto ishin vetëm disa nga deklaratat që presidentja Osmani bëri në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkaq, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se Serbia nuk ka qenë e përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Bërnabiq tha se hetimet do të tregojnë se dy nga tre sulmuesit serbë që u vranë gjatë përleshjeve, janë “vrarë pasi janë dorëzuar”.

Mirëpo kujtojmë që sulmi i 24 shtatorit ka mbetur ende pa u ndëshkuar nga ndërkombëtarët ndaj Serbisë.

A do të ketë reflektim nga ndërkombëtarët pas fjalimit që presidentja Osmani bëri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së?

Elezaj: Ndërkombëtarët janë më të prirë t’i besojnë përfaqësuesve të UNMIK-ut, sesa udhëheqësve të Kosovës 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Rexhep Elezaj.

Ai vlerësoi lartë paraqitjen e presidentes Osmani duke u shprehur që deklaratat e presidentes ishin edhe më të ashpra pasi nuk duhet harruar sulmi i fundit terrorist në Banjskë.

“Pjesëmarrja dhe paraqitja për herë të parë e presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, në KS të OKB-së, mund të thuhet se ishte në nivel të kënaqshëm diplomatik, ishte një fjalim përmbajtjesor dhe me fakte të cilat e kanë shënuar periudhën e kaluar gjashtë mujore midis dy seancave të KS të OKB-së kushtuar Kosovës, raportin për të cilat periudha e paraqet përfaqësuesja e UNMIK-ut në Prishtinë. 

Mendoj se fjalimi i presidentes V. Osmani në KS të OKB-së, ka mundur të jetë shumë më i ashpër ndaj Serbisë dhe regjimit të saj fashist, duke marrë parasysh faktin, se pas sulmit terrorist të grupit kriminal dhe paramilitar serb në fshatin Banjskë me 24 shtator, çdo gabim dhe veprim i nxituar i qeverisë së Kosovës në veri, siç e kishin vlerësuar 6 përfaqësuesit e QUINT-it dërgimin me polici të 3 kryetarëve shqiptar në objektet komunale. Si dhe mos tërheqjen e forcave speciale policore të Kosovës nga veriu, etj., që të gjitha këto veprime pas 24 shtatorit ranë në ujë, duke e ndryshuar për 180 shkallë gjendjen në teren, krejtësisht në favor të  Kosovës”, u shpreh ai.

Sipas analistit shumë pak mund të ketë ndikuar tek ndërkombëtarët deklaratat e presidentes Osmani, pasi ata ndërkombëtarët janë më të prirë t’i besojnë përfaqësuese së UNMIK-ut, sesa udhëheqësve të Kosovës.

“Prandaj, fjalimi i presidentes Osmani është dashur të ketë ton shumë më të ashpër, duke u thirrur në faktin, se vetë BE-ja dhe SHBA-të sulmin e grupit paramilitar serb në Banjskë e kanë cilësuar si akt terrorist, duke i “kërcënuar” faktorët ndërkombëtar me ndërprerje të dialogut me Serbinë, nëse regjimi fashist i A. Vuçiqit nuk dënohet me masa konkrete. Sidomos, kur dihet fakti se presidenti serb, A. Vuçiq, personalisht ka qëndruar pas agresionit ushtarak të Serbisë ndaj Kosovës me 24 shtator, dhe kur kriminelët serb vranë rreshterin e policisë së Kosovës, tanimë heroin Afrim Bunjaku. 

Unë, nuk mendoj se fjalimi i presidentes Osmani ka dërguar tone “alarmi” për faktorët ndërkombëtarë, që t’i nxis ata të ndërmarrin masa ndëshkuese ose sanksione ekonomike ndaj Serbisë, për faktin e vetëm, sepse ata, pra ndërkombëtarët janë më të prirë t’i besojnë përfaqësueses së UNMIK-ut, sesa udhëheqësve të Kosovës”, shpjegon analisti.

Në bisedë e sipër ai thekson që do të duhej edhe më ashpër të flitet karshi Serbisë pasiqë qeveria e Kosovës nuk e ka themeluar për 10 vite AKS-në, pra duhej t’i thoshte para botës se qëllimi i saj dhe shefit të saj në Beograd është ndërhyrja në Kosovë.

“Mua, gati gjithmonë më ka shqetësuar, mbase edhe nervozuar, paraqitja e butë, e vakët, e herë-herë edhe shterpë, e përfaqësuesve tanë në shumë forume dhe konferenca ndërkombëtare në dhjetë vitet e fundit, të cilët, sikur kanë frikë dhe ankth kur dalin të flasin për Kosovën dhe vuajtjet e shqiptarëve nën regjimin kriminal të Serbisë në vitet 1990-1999. Bile, ka pasur përfaqësues të Kosovës të cilët në shumë raste nuk kanë reaguar fare ndaj rrenave dhe shpifjeve ordinere të politikanëve serb, siç gënjeu dje për Kosovën çetnikja serbe, A. Bërnabiç në KS të OKB-së. Pra, presidentja nuk duhej të heshte ndaj gënjeshtrave të saj, veçse ta bombardonte me fakte të gjalla, se atë çfarë e thoshte ajo në atë tubim, ishte rrenë dhe propagandë antishqiptare. Pra, pas replikës së saj do duhej ta demantonte “bërnabiçkën” pikë për pikë, se pse qeveria e Kosovës nuk e ka themeluar për 10 vite AKS-në, pra duhej t’i thoshte para botës se qëllimi i saj dhe shefit të saj në Beograd, ka qenë dhe mbetet, krijimi me çdo kusht në veri të Kosovës i “Republika Srpska-s” së dytë, si bombë e kurdisur për minimin e pavarësisë së Kosovës, por që ajo nuk ia tha këtë..!? 

Se, pse nuk ia tha, dhe, pse përfaqësuesit tonë shtetëror frikësohen kaq shumë kur flasin nëpër forume ndërkombëtare, kjo është një dukuri për studim dhe analizë, kur e gjithë bota demokratike e dinë, se Serbia dhe regjimi i saj kriminal janë humbës të luftës në Kosovë, ndaj të cilit humbës gjithmonë duhet pasur qëndrim të prerë, se para vetes ke përfaqësues të një shteti që ka bërë gjenocid në Bosnje dhe Kosovë. Dhe, se përfaqësuesit e një shteti që ka bërë gjenocid në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, kurrë nuk mund ta kenë të njëjtin nivel diplomatik dhe respekt në tubime dhe takime ndërkombëtare me fituesit e luftës, siç janë shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët”, nënvizoi Elezaj për “Bota sot”.

Ahmeti: Presidentja Osmani pati një paraqitje të shkëlqyer në seancën e Këshillit të Sigurimit 

Ndërsa, analisti tjetër politik Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që paraqitja e presidentes Osmani ishte e shkëlqyer duke kërkuar që të sanksionohet Serbia.

“Presidentja Osmani pati një paraqitje të shkëlqyer në seancën e Këshillit të Sigurimit, pasi në mënyrë objektive paraqiti rrjedhën kronologjike. Ndërkombëtarët duhet të veprojnë konform fakteve objektive, duke sanksionuar Serbinë dhe duke krijuar një precedan të ri”, potencoi ai.

Në fund, analisti përkufizon që nuk duhet lejuar të kalojë kjo situatë sikur nuk ka ndodhur asgjë më 24 shtator.

“Nuk duhet të lejuar në asnjë mënyrë të veprohet kinse nuk ka ndodhur asgjë, pasi standardet e dyfishta nga ndërkombëtarët do të krijonin pasiguri në ndërtimin e një paqe të përhershme”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.