Derisa çështja e Asociacionit është bërë pikë kyçe në dialog dhe ndërkombëtarët po e kërkojnë themelimin e tij, e njëjtë edhe shteti serb, deputetja e pushtetit Arbëreshë Kryeziu-Hyseni thotë se kjo çështje tani më nuk është në plan të parë.
“Nuk është në plan të parë Asociacioni tani. Nuk është çështja e vetme për të cilën ne duhet të diskutojmë tani sepse po besoj që pafundësisht nuk mund të plotësojmë dëshirat e Serbisë. Serbia në vazhdimësi ka kërkuar që në temë të diskutimit në kuadër të dialogut të hyjë Asociacioni dhe si rezultat nuk kanë treguar gatishmëri të përmbushin asnjë lloj kërkese tjetër që vjen në kuadër të vet marrëveshjes bazë dhe planit të veprimit dhe ne mendojmë se është shumë më e rëndësishme që marrëveshja bazë dhe plani i veprimit të jenë dy dokumentet e para dhe të vetme në bazë të së cilave duhet të ndërtohet dialogu”, ka deklaruar ajo.
Thotë se nuk mund të flitet për draft të statutit të Asociacionit derisa po kërkojnë nga Bashkimi Evropian ta sanksionojë Serbinë për sulmin në Banjskë.
“Pra, ne nuk mund të flasim për një draft pavarësisht a është apo jo në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në kohën kur ne presim dhe kërkojmë prej Bashkimit Evropian që të sanksionojë Serbinë që organizoi një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit para një muaji, e këtë nuk po e shohim deri më tani. Ndërkohë, që Serbia nuk është sanksionuar as për veprimet e vazhdueshme që i ka bërë prej kur është arritur dakordimi për marrëveshjen bazë e deri më sot”, ka shtuat deputetja e VV-së.
Sipas saj, derisa rreziku për sulme të reja nga Serbia në Kosovë ekziston, atëherë Bashkimi Evropian duhet t’ia tregojë vendin Serbisë me sanksione në mënyrë që të njëjtat të ndalohen dhe të mos përsëriten.