Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Eurodeputeti gjerman kritikon Borrellin: Fajëson palët në mënyrë të barabartë edhe pas agresionit serb

Deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Reinhard Butikofer, ka komentuar deklaratat e Josep Borrell, përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, pas bisedimeve në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Butikofer është shprehur i shqetësuar duke thënë se Borrell i fajëson të dyja palët në mënyrë të barabartë duke mos kujtuar aktin e agresionit serb të 24 shtatorit.

Pas takimit të mbajtur në Bruksel të enjten, Borrell kishte theksuar se Kosova dhe Serbia nuk kanë treguar gatishmëri për të pajtuar me propozimin e ri evropiano-amerikan për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ndërsa, deputeti gjerman ka theksuar se Asociacioni ishte e vetmja pengesë për normalizimin e marrëdhënieve që Borrell ka përmendur, ndërsa nuk është diskutuar për parakushtet që mund të kishte pala serbe.

Butikofer gjithashtu ka kujtuar publikisht se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimeve ka shprehur gatishmërinë për të pranuar çdo propozim të BE-së, ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka refuzuar një gjë të tillë.

Në deklaratën e tij në platformën X, deputeti gjerman ka theksuar edhe faktin se Parlamenti Evropian ka kërkuar heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës, por ky aspekt nuk është diskutuar në bisedat aktuale.

“Kjo është vërtet interesante: 1. E vetmja pengesë, e cila Borrell përmend, është Asociacioni. A nuk kishte pengesa nga pala serbe? A është e drejtë të “harrohet” përmendja e të gjitha akteve të fundit të agresionit serb? 2. Kryeministri Kurti tha publikisht se ishte i gatshëm të firmoste gjithçka që BE-ja vendosi në tryezë, ndërsa Vuçiq refuzoi një gjë të tillë”.

“Pra, pse atëherë bën Borrelli fajëson të dyja palët në mënyrë të barabartë? 3. A i kujtohet Borrellit që Parlamenti Evropian kërkoi heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës? Pse nuk flitet për këtë? Sa shumë pyetje”, ka shkruar Butikofer.