Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Fundi i tetorit me temperatura deri 29 gradë, SHMU del me njoftimin e rëndësishëm për qytetarët

Temperatura deri në 29 gradë këtë fundit tetori!

Sinoptikania e SHMU Besa Sherollari në një lidhje direkte me edicionin informativ në Top Channel, ka bërë parashikimin e motit për fundjavën. Sipas saj e shtuna do jetë dita e fundit që mund të ketë reshje shiu. Deri në ditën e martë moti do jetë me kthjellime dhe me kushte atmosferike të qëndrueshme, ku temperaturat do arrijnë deri në 29 gradë celsius.

“Paqëndrueshmëria atmosferike e cila është aktualisht mbi vendin tonë, do vazhdojë të jetë prezente deri në orët e mesditës së ditës së shtunë, ku moti parashikohet me vranësira dhe reshje shiu të cilat pritet të jenë me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në veriperëndim me intensitet mesatar.

Por duke filluar nga orët e mesditës, ditën e shtunë dhe deri ditën e martë, ne presim një qëndrueshmëri atmosferike, moti parashikohet të jetë kryesisht i kthjellët dhe me vranësira kalimtare. Këto do jenë kryesisht në orët e mesditës dhe pasdites.

Përsa i përket fushës termike, krahasuar me ditët që lamë pas ne nuk presim të pësojmë ndryshime të ndjeshme. Temperaturat në vlerat maksimale do të luhaten nga 27-29 gradë celsius kryesisht në zonat e ulëta dhe në bregdet.

Përsa i përket erës, pritet të jetë nga kuadrati i jugut me një shpejtësi mesatare deri në 8-9m/s, por hera herës përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore pritet të fitojë shpejtësi deri në 12-13 metra/s duke bërë që valëzimi në detet Adriatik dhe Jon të jetë i forcës 3-4 ballë”, shprehet sinoptikania e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak Besa Sherollari.