Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për 16-vjeçarin i cili paraditen e së mërkurës goditi me karrige mësuesen e matematikës, Majlinda Palushi. I mituri u njoh këtë të premte me masën e sigurisë, në një seancë me dyer të mbyllura. Ndaj tij janë ngritur dy akuza “goditje për shkak të detyrës” dhe “plagosje e rëndë me dashje”.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi paraditën e së mërkurës në gjimnazin “Hydajet Lezha”. 16-vjeçari gjatë orës së mësimit goditi me karrige mësuesen, pas një debati me këtë të fundit. Në dëshminë e dhënë më herët 16-vjeçari u shfaq i penduar për veprimin që kishte kryer, por tregoi se mësuesja ia kishte përmendur babain e tij të ndjerë prandaj dhe ishte revoltuar.
“Nuk e di çfarë ndodhi. Pata një gjendje të rënduar psikolgjike pasi mësuesja më përmendi babanë, ndërsa po flisnim për frekuentimin e shkollës. Ka qenë një dramë për mua humbja e babait dhe e përjetova sërish në atë moment. Nuk kam patur asnjë debat më parë me mësuesen, nuk duhej të ndodhte”, tha 16-vjeçari në dëshminë e tij.Ndërsa, në dëshminë e saj mësuesja Majlinda Palushi deklaroi se kishte kërcënuar 16-vjeçarin se do e ngelte në klasë pasi ky i fundit i kishte prishur orën e mësimit.
“Nxënësi ishte në bankën e fundit dhe bënte muhabet me shokun. Më ka prishur orën e mësimit. I kam tërhequr vëmendjen por nuk ndalonte. Në këtë momenti i kam thënë se nuk e meriton notën kaluese, edhe vjet të kam kaluar kot. “Betohem për eshtrat e tim eti dhe tëndit se s’ke për të kaluar këtë vit”, tha Palushi në deklaratën e saj.
Këto fjalë të mësueses kishin lënduar 16-vjeçarin i cili i revoltuar e goditi atë me karrige duke i shkaktuar plagë në trup. Ajo u dërgua në spitalin e Traumës dhe nga informacionet e bëra me dije ditën e sotme mësohet se Palushi i është nënshtruar një operacioni në klavikul, pjesën e shpatullës për shkak të dëmtimit. Megjithatë gjendja e saj është shumë e mirë, jashtë rrezikut për jetën.