Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hill: ShBA-ja po i monitoron nga afër hetimet e Banjskës në Prishtinë dhe Beograd

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka folur për hetimet që po zhvillohen lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Bansjkë të Zveçanit.

Hill tha se hetime po bëhen nga pala kosovare dhe serbe dhe se “SHBA’ja po vëzhgon me shumë vëmendje”, që të sigurohet se ka përgjegjësi dhe se nuk do të përsëritet më.

“Është e qartë se po zhvillohen hetime… Pala serbe ka thënë se do ta bëjë një hetim të plotë. Të njëjtën gjë po e bën edhe pala kosovare. Mendoj se SHBA-ja po vëzhgon me shumë vëmendje. E gjitha – me qëllim që të sigurohemi se ka përgjegjësi dhe nuk përsëritet më. Pra, është një faktor i madh”, ka thënë Hill.

Hill ka thënë se duhet përqëndrim në atë që ka ndodhur saktësisht, kush është përgjegjës, pse e kanë bërë dhe, në fund, të krijohen rrethana ku kjo nuk mund të ndodhë më.

“Unë mendoj se çështja është që të përqendrohemi në atë që ka ndodhur saktësisht, kush është përgjegjës, pse e kanë bërë dhe, në fund, të krijohen rrethana ku kjo nuk mund të ndodhë më. Unë mendoj se kjo përfshin shumë struktura të ndryshme. Çfarë mund të bëjë KFOR-i, kontingjenti i NATO-s, në këtë drejtim? Cilat aspekte të tjera duhet të trajtohen? Nuk është e lehtë, por mendoj se është një proces që duhet të jetë i plotë, duhet të jetë i qartë për njerëzit dhe, në fund, duhet të jetë efektiv dhe të sigurojë që kjo të mos ndodhë më kurrë”, ka deklaruar Hill në një intervistë për REL.

Sulmin terrorist në Bansjkë, Hill e ka quajtur pengesë të madhe për dialogun, por ka thënë se dialogu s’duhet të harrohet kurrë.

“Por, në fund, ajo që na duhet, është një proces dialogu që synon një zgjidhje politike. Pra, nuk mund ta harrojmë kurrë dialogun. Dhe, në këtë aspekt, jam i lumtur që zoti [Mirosllav] Lajçak [përfaqësuesi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi] i ka mbledhur palët, ka marrë një vëmendje të lartë evropiane. Gjëja më e mirë që mund të bëjmë, është ta mbështesim procesin e zotit Lajçak dhe të përpiqemi të sigurohemi se ai është përfundimisht i suksesshëm. Këto gjëra nuk ndodhin në kohën që të gjithë duan që të ndodhin e, sidomos, kur keni pengesa të mëdha, siç është ajo që ka ndodhur në Banjskë”, ka thënë tutje Hill.

Ndryshe, përveç autoriteteve vendore, krerët e shtetit kanë thënë se hetime lidhur me sulmin terrorist në Banjskë po zhvillojnë edhe partnerët ndërkombëtarë.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë sot se NATO dhe EULEX do të dalin me raporte përfundimtare për atë se çka ndodhi më 24 shtator.

Ndërkohë, Gjermania, për të cilën Konjufca tha se po kryen hetim, e ka mohuar një gjë të tillë.