Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Nesër nis inspektimi në biznese për qeset, paralajmërohen gjoba

 
   

Një muaj nga hyrja në fuqi e udhëzimit administrativ për qeset e plastikës, qytetarët tashmë kanë filluar të paguajnë nga 5 deri në 10 cent për një qese. Derisa ekspertët e mjedisit dhe disa qytetarë, e kanë mirëpritur këtë vendim, një pjesë e këtyre të fundit, thonë se në Kosovë ende nuk janë kushtet e jetesës sa për të paguar qese.

Një pjesë e bizneseve po implementojnë vendimin e Ministrisë së Mjedisit për qeset e disa jo. Megjithatë, të gjithë inkurajohen nga ekspertët e çështjeve mjedisore, duke e konsideruar si hap të duhur në të mirë të ambientit dhe me kosto të përballueshme.

Qytetarja Safete Shala e cila ishte duke hyrë në një market në Prishtinë, ka thënë për KP, se vendimi për shitjen e qeseve është vetëdijesim për të mos ndotur ambientin, derisa theksoi se pagat në Kosovë janë shumë të ulëta për të blerë edhe një qese.

Shala: Kosova nuk i plotëson kushtet për të blerë edhe qese

Valla më mirë me qenë vendi mirë, i kursen qeset mbeturinat e rrugëve, është shumë mirë e paguar. Si plotëson kushtet për me shit qeset se kemi paga shumë të vogla dhe nuk i plotëson kushtet”, tha Shala.

Po ashtu, Nexhdet Kastrati ka thënë se ndotja e ambientit varet nga qytetarët dhe zgjidhja e kësaj situate e kërkon shitjen e qeseve.

Kastrati: Më mirë me i ble qeset

“Po tash mbrojtja e ambientit e kërkon atë, se varet edhe na ne është e leverdishme, por më mirë mos të mbajë qese fare sikur unë që po mbaj tash, duhet me ia nis megjithatë duhet”, tha Kastrati.

Kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku ka thënë se metoda e udhëzimit administrativ nuk është konfirmuar nga qytetarët konsumatorë, derisa thekson se forma më e mirë për shitjen qeseve do të ishte rimbursimi i tyre me pagesë.

Kaçaniku: Qeset e shitura duhet të rimbursohen me pagesë te konsumatori

‘Mendimet mes nesh janë të ndara, por ajo që ka mbetur për të thënë është se qytetari konsumator është prekur në dinjitet d.m.th. dikush ka menduar se me 5 cent do të jemi të qetë, ku po mbetet dinjiteti, ku na kanë prek ne dinjitet sepse ne nuk kemi pas debat publik, zëri i qytetarit nuk është dëgjuar. .. Pse 5 centësh t’i ngarkohet vetëm gjepit të qytetarit konsumator taksapagues, ndërsa prodhuesit, ndërsa tregtarit jo. Ne nuk jemi ndotësit kryesor. .. Do të ishte mirë që brengosjen për mjedisin të bartim të gjithë së bashku, një pjesë prodhuesi, një pjesë qytetari dhe të gjitha të marrim pjesë në mbrojtjen e mjedisit në raport me qeset dhe me ambalazhet tjera, në atë mënyrë që ne të marrim pjesë në pagesë por ajo pagesë të jetë pagesë avanci por që të na kthehet në moment që ne t’i kthejmë ambalazhet dhe kështu ne drejtpërdrejt do t’i kontribuonim pastrimit, mjedisit të pastër, me aq sa edhe e kemi ndot deri më tani, por ky 5 centësh nuk garanton që ne do të kthejmë qesen, nuk garanton që mjedisi do të pastrohet”, tha Kaçaniku.

Njohësi i mjedisit, Agron Bektashi, vendimin për shitjen e qeseve të plastikës po e cilëson si hap të duhur për mjedisin. Ai ka thënë se të gjitha bizneset duhet të fillojnë me shitjen e qeseve.

Bektashi: Shitja e qeseve hap i duhur për ruajtjen e mjedisit

“Pa dyshim se masat plastike janë një ndër ndotësit më të mëdhenj të mjedisit jo vetëm në Kosovë por në të gjithë botën. Ka kohë që qeset e plastikes kanë qenë temë diskutimi edhe në Ministrin e Mjedisi dhe qytetarët si të zgjidhet problemi i masës së madhe të qeseve të plastikës…. Se kjo është një masë e cila është bazuar në praktikat më të mira në Evropën perëndimore ku në shumë shtete qesja e plastikës në market, super market paguhet nëse nuk e ke shportën tënde, atëherë duhet të paguhet, ajo ka dy versione zvogëlimin e qeseve të plastikes, meqenëse bëhet me pagesë, dhe në anën tjetër e ka si me thënë kur zvogëlohet masa e plastikës, zvogëlohet sasia e mbeturinave…. Gjithsesi si procedurë, si proces në aspektin mjedisor, është i qëlluar dhe mendoj se është dashtë që të gjitha bizneset të fillojnë ose t’i bëjnë me pagesë ose me vendim të Qeverisë, që është me vite, të fillojnë me shpërndarjen e qeseve degraduese”, tha Bektashi.

Kurse, Visar Shehu, këshilltar në Ministrinë e Mjedisit, ka treguar edhe rregullat për të cilat bizneset duhet të i përmbahen gjatë shitjes së qeseve.

Shehu: Qeset plastike 25 deri 50 micron janë pa logo dhe me pagesë

“Sipas udhëzimit administrativ, janë disa lloje të qeseve plastike, i bie që deri 25 micron qeset që janë të holla njëpërdorimshme, ato janë të ndaluar tërësisht. Qeset plastike 25 deri 50 micron, kjo është qese e cila nuk mund të këtë logo dhe në të njëjtën kohë duhet të bëhet me pagesë, dhe kategoria e tretë mbi 50 micron, ato nuk ka nevojë për pagesë sepse janë shumë përdorimshme dhe të trasha dhe nuk janë të dëmshme për ambientin. Po ashtu, edhe një kategori tjetër të çfarëdo lloj microni por që nuk kanë doreza, ato përdoren për mbajtje të pemëve dhe perimeve dhe ato nuk paguhen”, tha Shehu.

Shehu ka paralajmëruar se nga java e ardhshme do të fillojnë edhe me monitorimi te bizneset.

Ai tha se bizneset të cilët nuk i përmbahen udhëzimit administrativ për shitjen e qeseve sipas rregullores, do të gjobiten nga inspektorati tregut.

Shehu: Bizneset të cilat nuk kanë filluar me shitje të qeseve sipas rregullores do të gjobiten

“Udhëzimi administrativ i ka paraparë edhe pjesën që inspektoratit, përkatësisht të gjobave për ata që nuk e respektojnë këtë udhëzim administrativ. Qëllimi ynë nuk është gjobimi por nëse vërehet që nuk do të zbatohet ky udhëzim administrativ, natyrisht nga inspektorati tregut… Ne presim sepse informatat që i kemi marrë, ka filluar me u zbatuar, është faza e parë. Besoj që nga viti ardhshëm do të jetë rezultati shumë më i madh, gjithsesi apeloj që të gjithë akterët që kanë të bëjnë me këtë sektor, duhet të respektojnë këtë udhëzim administrativ sepse pësojnë gjobat. Kurse sa i përket çmimit, ende nuk besoj, nuk është një shumë e madhe, është vetëm 5 cent dhe vlen për këtë pjesën e qeseve 25 deri 50 micron”, tha Shehu.