Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Arifi: Kurti e harroi Luginën, varrosi aspiratën për bashkim

 
   

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për neglizhencë dhe mosdhënie të mbështetjes së duhur ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai për RTSH-në tha se Lugina e Preshevës nuk po e gëzon mbështetjen e duhur nga qeveria e Kosovës, madje me Marrëveshjen e Ohrit, u varros aspirata e Luginës për t’u bashkuar me Kosovës.

“Kurti ka ndryshuar qëndrim, ku më pak se një vit më parë, ai ka folur për reciprocitet dhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Kurti e ka varrosur të gjitha mundësitë që ne të jemi pjesë e Kosovës,” u shpreh Arifi.

Sipas Arifit, qeveritë e mëparshme në Kosovë, kanë pasur disa diskutime për shqiptarët e Luginës, por me ardhjen e Kurit dhe qasjen e tij me këtë dialog e bën të pamundur perspektivën e Luginës.

Kujtojmë se Arifi disa herë ka akuzuar Qeverinë Kurti, madje nuk ka marrë pjesë as në takimin e Kurtit me përfaqësuesit e Luginës.

Në Qeverinë Kurti, ndërkaq janë dy këshilltarë nga partia rivale e Arifit (PVD). Është Ardita Sinani (ish-kryetare e Preshevës), këshilltare e kryeministrit Kurti, dhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar, Ragmi Mustafa, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit Besnik Bislmi.