Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Draft-statuti i Asociacionit, Hamiti: Diçka dihet, por shumëçka jo

 
   

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka kërkuar sqarime për draft-statutin e Asociacionit, i cili është pranuar nga institucionet e Kosovës.

Ai ka thënë se deri me tani shumë pak dihet për këtë dokument.

Zyrtari i LDK-së ka bërë me dije se ende nuk dihet karakteri dhe kompetencat që do t`i ketë Asociacioni.

“Në pritje të publikimit të Draft-Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, diçka dihet, por shumëçka jo, për karakterin dhe kompetencat e tij. Kryeministri Kurti e ka pranuar dokumentin për Asociacionin që treshja e liderëve evropianë, Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministresha Meloni, u kanë paraqitur liderëve të Kosovës dhe Serbisë javën e kaluar në Bruksel. Kryeministri Kurti ka insistuar në nënshkrimin e tij. Nga përvijimi i dokumentit del se Kosova ka pranuar Asociacionin, krahas vetëmenaxhimit të komunitetit serb, që përkufizohet si “autonomi substanciale” e komunitetit serb. Përmendet “mbrojtja e dyfishtë”, që, e paspecifikuar në këtë skicë, mbase ka të bëjë me faktin se pos garancave që kanë serbët dhe komunitetet me Kushtetutën aktuale (duke përfshirë të drejtën e vetos për ligje në fusha që prekin interesat jetike të tyre), do ta kenë edhe Asociacionin (“Zajednicën”) dhe vetëmenaxhimin, autonominë”, ka shkruar Hamiti.

Ai ka përmendur zërat që thonë se Asociacionin nuk do të jetë në përputhje me Kushtetutën.

“Ka njerëz që u besojnë deklaratave se draft-statuti i Asociacioni nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, se nuk ka kompetenca ekzekutive. E thonë këtë besimtarët e deklaratave pa e parë tekstin, pa e ditur se çka do të ishte lënda eventuale për Gjykatën Kushtetuese. Ka të tjerë që, madje edhe prej skicës së statutit të Asociacionit, konkludojnë se dokumenti krijon pushtet tjetërfare, përtej Kushtetutës aktuale të Kosovës. Esencialisht anti-kushtetues, sepse i ndërron karakterin kushtetues Kosovës, thonë ata. Kosova nuk do të jetë shtet unitar me aranzhmane të tillë, simbas tyre. Prandaj, le të presim publikimin e tesktit të plotë të Draft-Statutit të Asociacionit”, ka shkruar ai.