Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Osmani-Malaj pajtohen për thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Shqipërisë në Prishtinë, Petrit Malaj, të cilin e uroi për detyrën dhe shfaqi shpresën se gjatë mandatit të tij do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale në mes të dy shteteve simotra.

Osmani theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në unifikimin e politikës së jashtme mbetet prioritet.

“Fuqizimi i vazhdueshëm i koordinimit diplomatik është interes jo vetëm i shteteve tona, por edhe i rajonit në tërësi”, ka theksuar Osmani.

Ajo theksoi se Kosova pret që Shqipëria të jetë zë i Kosovës në mekanizmat dhe organizatat ndërkombëtare në të cilat aktualisht shteti ynë nuk ka përfaqësim.

Osmani, ndër të tjera e njoftoi ambasadorin Malaj edhe për zhvillimet e fundit në vend, si dhe mbi aktin e agresionit të Serbisë kundër Kosovës më 24 shtator në Banjska të Zveçanit, me ç’rast potencoi rëndësinë e adresimit të përgjegjësisë të Serbia dhe aplikimit të masave ndëshkuese ndaj saj.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm dhe shtruan nevojën e zbatimit të marrëveshjeve ndërshtetërore të arritura deri tash, thuhet në njoftimin e Presidencës.