Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Edhe Sindikata e re e KEK-ut paralajmëron protestë masive

Kryesindikalisti i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, ka deklaruar se do të organizojnë një protestë masive më 7 tetor për të shprehur mospajtimin për mungesën e përgjigjeve të zyrtarëve të KEK-ut për kërkesat e tyre.

Llumnica ka treguar disa prej kërkesave kryesore të punonjësve të KEK-ut.

Sipas tij, ata kërkojnë ngritjen e pagave, pasi sipas tij, që nga viti 2018 nuk ka ndodhur asnjë rritje në pagat e tyre.

Ai ka theksuar se inflacioni në Kosovë dhe në eurozonë ka shkuar rreth 30%, ndaj pagat duhet të rriten për të përmbushur nevojat aktuale të punonjësve.

Llumnica gjithashtu ka përmendur një nga sukseset e KEK-ut, duke theksuar një fitim prej 107 milionë eurosh gjatë vitit 2022. Megjithatë, sipas tij, ky sukses nuk është ndarë me punonjësit e KEK-ut.

“Kërkesat tona konkrete janë ngritja e pagave se që nga viti 2018 nuk kemi pasur ngritje të pagave për punëtorët e KEK-ut. Kur dihet se inflacionet në Kosovës, por jo vetëm, në eurozonë është diku rreth 30 përqind dhe realisht ata të cilët kanë pasur pagë duke u bazuar tek inxhinierët e KEK-ut që është 745 euro ajo tani duhet të mbulohet me 1 mijë e 100 euro në rast se ka një vlerë të barabartë me pagën e vit 2018. Ne e kemi arsyetuar në bazë të inflacionit, por edhe në bazë, mirëpo edhe te sukseset që kemi pasur vetë gjatë vitit 2022, 107 milionë euro profit dhe ky sukses nuk është ndarë me punëtorët e KEK-ut”, ka deklaruar ai.

Punonjësit e KEK-ut, siç ka treguar Llumnica, theksojnë se tregu i punës ka ndryshuar dhe ata mund të marrin paga më të larta në sektorin privat për të njëjtën punë.

“Tregu i punës në Kosovë ka ndryshuar, punëtorët e KEK-ut për punë të njëjtë mund të marrin shumë më shumë pagë në sektorin privat. Paga mesatare në KEK, paga bazë po flas jo kjo që duhet t’i bëjë 400 orë në muaj si rezultat i mungesës së punëtorëve, mirëpo paga bazë mesatare është 627 euro e që në sektorin privat mund të jetë 1 mijë e më shumë euro”, ka thënë ai.

Llumnica ka shtuar se ata kanë zhvilluar biseda me menaxhmentin e KEK-ut, por ato nuk kanë sjellë rezultate konkrete.

“Arsyetimi i tyre është se nuk guxojnë t’i japin këto pagesa për arsye se nuk i jep askush në Kosovë, por ne i kemi fituar me gjykatë themelore me Gjykatën Supreme, me Gjykatën e Apelit, që besa zyrtarët e zyrës ligjore të KEK-ut e kanë çuar edhe Gjykatën Kushtetuese”, ka deklaruar ai.