Përveç dialogut e Asociacionit, në Kuvendin e Kosovës po diskutohet edhe për çështjen e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë. Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka pyetur Kurtin për deklaratat e para të bëra kur ka ndodhur rasti e kur Kurti kishte thënë se terroristët i kanë vetëm dy opsione meqë janë të rrethuar dhe ose duhet të dorëzohen ose do të asgjësohen.
Deputeti i PDK-së Shala ka ngritur shqetësim për sigurinë e asaj pjese duke thënë se si ka qenë e mundur që janë futur një numër aq i madh i paramilitarëve serbë.
Kurti në fjalën e tij ka thënë se vija kufitare në atë pjesë është shumë e gjatë dhe se kufiri në Lepsoaviq , Zubin Potok e Zveçan do të duhej të ruhej nga ushtria. Por thotë se ish-presidenti Hashim Thaçi në 2013 kishte çuar letër tek NATO që Ushtria nuk e kalon Ibrin.
Kryeministri ka thënë se ajo letër edhe tani po i kufizon raportet me NATO-n dhe sipas Kurtit ishte një veprim katastrofal i Hashim Thaçit. Kreu i ekzekutivit ka thënë se po të mos ishte ajo letër, Ushtria do të ishte në Veri të Kosovës.