Në Shqipëri është mbajtur përsëri një tubim në mbështetje të Palestinës dhe popullit palestinez, duke u dënuar sulmet e Izraelit ndaj palestinezëve dhe duke u bërë thirrje për ndalimin e masakrave ndaj popullit palestinez.
Tubimi me moton “Stop gjenocidin në Gaza” është organizuar në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë me thirrjen e aktivistëve dhe disa organizatave të shoqërisë civile dhe me mbështetjen e qytetarëve.
Të pranishmit në tubim mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “Ndalo bombardimin në Gaza”, “Ndal krimet e luftës së Izraelit në Gaza”, “Palestina e lirë, fund okupacionit izraelit”, “Të ndalohet rrethimi i Gazës”, “Stop antisemitizmit-Stop islamofobisë” dhe “Stop vrasjen e fëmijëve”, raporton Anadolu.
Në këtë tubim është bërë thirrje për “ndalimin e luftës, ndalimin e masakrave, gjenocidit dhe spastrimit etnik ndaj popullit palestinez në Gaza”.
Ndërkohë, pas tubimit ishte planifikuar edhe marshim përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe drejt Sheshit “Nënë Tereza” në Tiranë, por nuk është lejuar nga forcat e policisë, sipas organizatorëve “pa dhënë arsye konkrete edhe pse ishte marrë leje”.
Edhe në muajin tetor në Shqipëri u mbajt një tubim në mbështetje të Palestinës dhe popullit palestinez dhe për dënimin e krimeve të luftës, duke u dënuar sulmet e Izraelit ndaj palestinezëve.
Tubime kundër vrasjes së palestinezëve janë mbajtur edhe në disa kryeqytete të shteve në Evropë, por edhe në SHBA.