Njohja e Kosovës nga Serbia duhet të jetë pika e parë e dialogut, thotë asistentja në Parlamentin Evropian, Federica Woelk. Kritika ka për Bashkimin Evropian për atë se si e ka trajtuar dialogun deri më tani, për çka shton se duhet të ndërrohen ndërmjetësuesit Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.
Në intervistë për KosovaPress, Woelk thotë se Bashkimi Evropian duhet të vendosë sanksione ndaj Serbisë dhe t’i heq masat ndaj Kosovës, porse thekson se në këtë drejtim po ndikojnë negativisht disa shtete anëtare.
Asistentja parlamentare e akredituar e eurodeputetes Ulrike Muller, Federica Woelk apelon palën kosovare që të lobojë më shumë për të drejtën e saj që të vihet në pah fakti se Kosova qëndron më mirë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sidomos në fushën e sundimit të ligjit.
Woelk: Jam kritike se si BE e ka trajtuar dialogun deri më tani
“Për të qenë e sinqertë, unë jam pak kritike se si BE e ka trajtuar dialogun deri më tani për disa arsye. Para së gjithash, sepse ndaj Kosovës kishte sanksione të cilat janë ende në funksion dhe për mendimin tim kjo është krejtësisht e padrejtë. Së dyti, sepse edhe Serbia nuk ka filluar t’i zbatojë marrëveshjet dhe Serbia nuk ka pasur pasoja për këtë, plus, për momentin po shohim që edhe Serbia ka pasur guximin të thotë përballë Von der Leyen se do nuk e njohin Kosovën dhe kjo duhet të jetë, për mendimin tim, pika e parë e dialogut”, thotë ajo.
E në mënyrë që të ndalet ndikimi i Serbisë në Ballkan e veçmas në Kosovë, Woelk thekson se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë masa.
Sipas saj, pezullimi i fondeve të BE-së ndaj Serbisë derisa kjo e fundit të mos e njoh Kosovën është diçka që duhet të jetësohet.
Woelk: Të hiqen sanksionet ndaj Kosovës, të vendosen ndaj Serbisë
“Unë mendoj se po, sanksionet duhet të vendosen ndaj Serbisë dhe të hiqen nga Kosova. Kjo është gjëja e parë që duhet bërë në çdo rast; sa i përket planit të ri, detajet nuk dihen ende plotësisht, ndaj nuk e dimë realisht se çfarë ai përfshin. Për mendimin tim, e rëndësishme është të shmanget që Serbia do të mund të ndikojë në Kosovë, sepse mendoj se për Serbinë do të jetë e lehtë të ndikojë në Kosovë dhe kjo duhet të shmanget me çdo kusht”, thotë ajo.
Ajo flet edhe për agresionin e Serbisë në Banjskë kur terroristët serbë sulmuan Policinë e Kosovës duke lënë të vdekur rreshterin policor, Afrim Bunjaku.
Woelk: E tmerrshme që nuk ka pasur përgjigje konkrete nga BE-ja ndaj Serbisë
“Është e tmerrshme dhe akoma më e tmerrshme është fakti që nuk ka pasur përgjigje konkrete nga BE-ja përveç rezolutës së Parlamentit Evropian, që ishte një hap shumë i mirë. Por kam përshtypjen se graviteti i këtij sulmi terrorist nuk është kuptuar plotësisht dhe gjithashtu fakti që nuk ishte një gjë që thjeshtë ka ndodhur një herë, por është diçka që mund të ndodhë përsëri dhe ne duhet ta shmangim këtë”, thekson ajo.
Ndërkohë që Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë për Kosovën ku ka dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, është Bashkimi Evropian që ka mbetur vetëm me një paralajmërim për masa.
Lidhur me këtë Woelk thotë se fatkeqësisht, politika e jashtme e BE-së është ende çështje e shteteve anëtare, kur dihet se ka të tilla që janë kundër sanksioneve ndaj Serbisë.
Woelk: Kemi nevojë për ndërmjetës të tjerë të dialogut
“Komenti im është se BE-ja është mjaft e komplikuar në përgjithësi. Kemi gjithashtu çështjen se politika e jashtme, për fat të keq, është ende çështje e shteteve anëtare dhe se kemi shtete anëtare që janë kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë. Krahas kësaj, mendoj edhe se ne kemi problem me dy ndërmjetësit në momentin e dialogut dhe sigurisht që kjo nuk e lehtëson situatën. Pra, mendoj se para së gjithash duhet të ndryshojmë ndërmjetësuesit në dialog. Duhet të vendosim masa, nëse jo sanksione, atëherë të vendosim masa, si për shembull, një ide mund të jetë pezullimi i fondeve të BE-së ndaj Serbisë derisa Serbia të mos e njohë Kosovën… Gjithçka është e lidhur me këtë koncept të normalizimit të marrëdhënieve, i cili është mjaft i çuditshëm, sepse për të normalizuar marrëdhëniet duhet të kemi dy partnerë që e njohin njëri-tjetrin dhe nëse njëri partner nuk e njeh tjetrin, për mua, nuk mund të ketë normalizim”, thotë ajo.
Sipas saj, BE-ja duhet të zgjohet sa i përket Serbisë.
Woelk: BE-ja duhet të zgjohet dhe të kuptojë se Serbia është në një rrugë shumë të rrezikshme
“Po, mendoj se është mjaft e lidhur edhe me atë që po thonim më parë, me faktin se BE-ja duhet të zgjohet sa i përket Serbisë dhe të kuptojë se Serbia është në një rrugë, e cila është shumë e rrezikshme dhe Serbinë nuk mund ta mbani të lidhur me Perëndimin duke mos bërë asgjë. Ju duhet të jeni aktiv dhe duhet ta ndaloni këtë rrugë. Gjithashtu një ditë më parë pati një anketë rreth përgjigjes së popullatës serbe në disa pyetje. Një nga pyetjet ishte nëse ata e njohën Sebrenicën si gjenocid dhe më shumë se 52% e njerëzve ende nuk po e njohin gjenocidin e Sebrenicës, dhe unë mendoj se duhet të fillojmë nga aty”, shprehet ajo.
Ajo është optimiste se Kosova do të anëtarësohet së shpejti ne Këshill të Evropës.
Woelk: Shpresoj se së shpejti Kosova do të anëtarësohet në KiE
“Shpresoj se po, por jam vërtet e bindur se do të ndodhë. Kjo është një pyetje shumë e mirë. Unë me të vërtetë nuk e di plotësisht procesin, por jam vërtet e bindur se do të ndodhë. Kosova ka nevojë edhe të komunikojë pak më fort edhe për gjërat pozitive që po bën, për shembull, fakti që në sundimin e ligjit Kosova është shumë më përpara se shtetet e tjera të Ballkanit dhe kjo është, për mua, me të vërtetë pjesa më e rëndësishme. Shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm për faktin se Kosova po bën një punë kaq të mirë me sundimin e ligjit”, vijon ajo.
Për fund, Woelk jep një mesazh për udhëheqësit shtetërorë dhe qytetarët.
Woelk: Kosova të gjejë një mënyrë të caktuar për të lobuar për interesat e saj
“Mendoj se Kosova duhet të jetë më e zëshme për këtë çështje, jo vetëm qeveria por edhe populli, dhe thjesht të përpiqet të lidhet më shumë edhe me qytetarët evropianë dhe të përpiqet të shpjegojë situatën dhe pse Kosova është në pozitën e saj, sepse mendoj se ndonjëherë ajo që mungon është në të vërtetë kjo lidhje mes asaj që po vepron Kosova dhe shpjegimit se pse po vepron kështu. Pra, të gjejë një mënyrë të caktuar për të lobuar më shumë për interesat e tyre”, thotë ajo.