Kapiteni i Rangut të Parë dhe ish-numri dy i Forcës Detare, Artur Meçollari ka publikuar një faksimile të kallëzimit të tij bërë në SPAK, kundër disa prej zyrtarëve më të lartë të Ushtrisë Shqiptare kur ajo drejtohej nga Bajram Begaj.
Mes personave të kallëzuar është dhe Presidenti aktual i Republikës, i cili në kohën kur ka ndodhur abuzimi me pronat e ushtrisë (sipas kallëzimit) ka qenë Shef i Shtabit të Përgjithshëm.
“Përse Presidenti nuk informon publikun që është marrë në pyetje dy herë nga SPAK? Pasi rezulton person nën hetim për dosjes hetimore nr. 109/2021”, pyet kapineti Artur Meçollari, duke treguar se kallëzimi i tij lidhet me ndërtimin e një godine 4-katëshe në bazën detare të Shëngjinit.
“Në çdo vend demokratik, kur Kreu i Shtetit pyetet, pavarësisht statusit, merret në pyetje nga institucioni i hetimit, informimi i publikut është detyrim. Natyrisht, mund të mos jepen shumë të dhëna, për të ruajtur sekretin hetimor, por fakti që është pyetur, për çfarë çështje në hetim dhe cili ka qënë statusi i tij, janë detyrime për ti bërë të njohura për publikun.
Dosja hetimore, që është kallëzuar nga ana ime, është regjistruar në prill 2021 me nr. 109, pra gati 3-vjet më parë. Nga tre personat e kallëzuar, njëri është ish-shefi i shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Bajram Begaj, sot President. Bëhet fjalë për ndërtimin e një godine 4-katëshe në bazën detare të Shëngjinit pronë në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes”, vijon ai.
Më tej, Meçollari bën dhe një deduksion logjik për marrjen në pyetje të Presidentit Bajram Begaj nga organi më i lartë i akuzës në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme e njohur dhe si SPAK.
“Nëse shtetasi Bajram Begaj nuk do ishte në hetim nga SPAK, si i vemi person në kallëzim subjekt i SPAK-ut, për shkak të funksionit, SPAK duhet të kishte shpallur me kohë moskompetencën mbi këtë hetim. Por, çështja vijon në hetim nga SPAK, që nënkupton se shtetasi Bajram Begaj, sot President, është nën hetim”, përmbyll kapiteni.