Zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, e ftuar në FRONTAL të T7 ka folur për Raportin e Progresit që u bë publik sot, e në të cilin janë listuar një varg vërejtjesh për Kosovën në të gjitha fushat.
Lushaku-Sadriu ka thënë se emëruesi i përbashkët i raportit për punën qe ka bërë Qeveria Kurti është “progresi i limituar” e që është shkalla më e ulët e vlerësimit.
“U pa që ka një shprehje që është emërues i përbashkët i progresit në Kosovës, progres në thojza, e ajo është progresi i limituar, e që është shkalla më e ulët. Dhe progres i limituar është shënuar në të gjitha fushat, edhe në ato të cilat Kurti”, ka thënë ajo.
Zyrtarja e LDK-së thotë se nëse analizohen edhe raportet e viteve të kaluara, këtë vit Komisioni Evropian ka shqetësim më të madh sa i përket luftimit të korrupsionit. Ajo thotë se në raport është kritikuar Qeveria që s’po plotësohet legjislacioni për luftim të korrupsionit.
Sipas Lushaku-Sadriut ka edhe mungesë të vullnetit politik për ta bërë një gjë të tillë.
“Nëse analizohet cka thuhet për korrupsion nga viti 2020, ka shqetësim më të madh të Komisionit Evropian për sa i përket luftimit të korrupsionit. Ata e kritikojnë qeverinë përgjatë viteve, sidomos këtë vit, që s’është plotësuar legjislacioni për luftim të korrupsionit”, ka potencuar ndër të tjera ajo.